Nga data 6 gusht 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), do të nisë kontrolle intensive në të gjithë zinxhirin e tregtimit të qumështit dhe produkteve të qumështit në Kosovë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njofton se, bazuar në gjetjet e AUV-së, është konstatuar se përdorimi i qumështit pluhur dhe vajit të palmës pa u deklaruar në etiketë, ose në sasi që tejkalojnë ato të deklaruara, përbën shkelje të kërkesave ligjore për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kontrollet do të përfshijnë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë. Fokus i inspektimeve do të jetë verifikimi i përputhshmërisë së përbërjes reale të produkteve me të dhënat e deklaruara në etiketë, deklarimi i qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë, saktësia e emërtimit dhe prezantimit të produkteve, si dhe dokumentacioni i lëndëve të para dhe gjurmueshmëria e tyre.
Sipas MINTI-t, produktet për të cilat analizat zyrtare vërtetojnë se etiketimi nuk pasqyron përmbajtjen reale do të tërhiqen nga tregu, ndërsa ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe sanksione të tjera të parashikuara me legjislacionin në fuqi.
Institucionet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të sigurojnë etiketim të saktë, të qartë dhe të verifikueshëm për produktet që prodhojnë, importojnë, distribuojnë ose ofrojnë për shitje.
MINTI dhe AUV ritheksojnë se do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së drejtë dhe ruajtjen e shëndetit publik në Republikën e Kosovës.
/Motilokal.com
