Ekspertët e shëndetit bëjnë thirrje për mbrojtje të shtuar të fëmijëve dhe adoleshentëve nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV), duke theksuar se lëkura dhe sytë e tyre janë shumë më të ndjeshëm deri në periudhën e pubertetit.
Sipas rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë, djegiet nga dielli dhe ekspozimi i përsëritur ndaj rrezeve UV gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës mund të kenë pasoja afatgjata, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e kancerit të lëkurës në moshë të rritur.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë gjithashtu që fëmijët dhe adoleshentët të mos ekspozohen ndaj rrezatimit artificial ultraviolet në solar, pasi ky lloj rrezatimi paraqet rrezik shtesë për shëndetin e lëkurës.
Për të reduktuar rrezikun nga rrezet UV, rekomandohet:
- Përdorimi i kremit mbrojtës me spektër të gjerë (UVA/UVB) dhe faktor mbrojtës SPF 50.
- Kombinimi i kremit me veshje mbrojtëse, kapelë me strehë dhe syze dielli.
- Qëndrimi në hije gjatë orëve kur rrezatimi diellor është më i fortë.
- Shmangia e përdorimit të solarëve, veçanërisht nga fëmijët dhe adoleshentët.
Profesionistët e shëndetit theksojnë se mbrojtja nga dielli gjatë viteve të para të jetës është një investim i rëndësishëm për shëndetin në të ardhmen, duke ndihmuar në parandalimin e dëmtimeve të lëkurës dhe uljen e rrezikut për kancer të lëkurës.
/Motilokal.com
