Ministrja Pacolli: Digat, prioritet kombëtar për sigurinë ujore dhe mbrojtjen nga përmbytjet

Ministrja Pacolli: Digat, prioritet kombëtar për sigurinë ujore dhe mbrojtjen nga përmbytjet

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se zhvillimi i projekteve për menaxhimin e ujërave mbetet një nga prioritetet kombëtare të institucionit që ajo drejton.

Në Shipashnicë të Epërme të Kamenicës është mbajtur konsultimi i parë publik për projektin e Digës së Re Multifunksionale në Desivojcë, pjesë e projektit FLOWS.

Gjatë këtij takimi është prezantuar procesi i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), ku banorët patën mundësi të paraqesin pyetje, shqetësime dhe propozime lidhur me realizimin e projektit.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kjo digë synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë ujore, sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për qytetarët dhe sektorin e bujqësisë, si dhe në mbrojtjen nga përmbytjet sezonale.

“Politika bëhet me qytetarët. Zhvillimi dhe mbrojtja e mjedisit, së bashku me interesin publik, duhet të ecin krah për krah”, ka theksuar ministrja Pacolli gjatë konsultimit.

Ministria ka bërë të ditur se konsultimet me komunitetin do të vazhdojnë gjatë të gjitha fazave të realizimit të këtij projekti, me qëllim që procesi të jetë transparent dhe të përfshijë shqetësimet e banorëve të zonës.


/Motilokal.com