Moti në Shqipëri gjatë ditës së shtunë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, duke sjellë një situatë kryesisht të favorshme atmosferike në pjesën më të madhe të vendit.
Parashikohet që moti të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa në zonat malore pritet shfaqje e vranësirave të pakta deri mesatare gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Në zonat me lartësi më të mëdha, veçanërisht në veri dhe lindje të territorit, nuk përjashtohen reshje të izoluara shiu me intensitet të ulët. Në relievet e larta malore, reshjet mund të shoqërohen për periudha të shkurtra edhe me shtrëngata, por me kohëzgjatje të kufizuar.
Pjesa tjetër e territorit pritet të mbetet nën ndikimin e motit të thatë dhe me temperatura të larta, ndërsa kushtet atmosferike do të jenë përgjithësisht të qëndrueshme.
Temperaturat parashihet të lëvizin prej 24°C deri në 39°C.
Gjatë orëve të mesditës, indeksi UV pritet të jetë i lartë, ndaj këshillohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell dhe përdorimi i masave mbrojtëse.
/Motilokal.com
