Tajfuni përmbys kamionin në Kinë: Më shumë se një milion njerëz evakuohen, erërat fryjnë me shpejtësi 150 km/orë

Tajfuni përmbys kamionin në Kinë: Më shumë se një milion njerëz evakuohen, erërat fryjnë me shpejtësi 150 km/orë

Autoritetet kineze kanë evakuuar më shumë se një milion njerëz nga shtëpitë e tyre në Kinën lindore, pasi tajfuni shkatërrues Delfin goditi tokën.

Stuhia solli erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, duke paralizuar trafikun dhe jetën e përditshme.

Shpejtësia maksimale e erës arriti një shifër të pabesueshme prej 150 km/orë kur tajfuni goditi për herë të parë Yuhuan në provincën Zhejiang dhe jo shumë kohë më pas, qytetin e Wenzhou.

Stuhia e fortë ndaloi plotësisht transportin në rajon, me 1,400 fluturime të anuluara vetëm në Shangai.

Autoritetet më parë lëshuan nivelin më të lartë të paralajmërimit, të kuq, i cili që atëherë është ulur në nivelin e një stuhie tropikale. Megjithatë, rreziku nuk ka kaluar - stuhia po lëviz drejt brendësisë dhe qytetarët paralajmërohen për shira të rrëmbyeshëm, përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje toke që kërcënojnë deri të mërkurën.

Për shkak të kushteve ekstreme të motit, atraksionet kryesore turistike janë mbyllur, duke përfshirë pjesë të Disneyland dhe Legoland dhe disa platforma vëzhgimi përgjatë shëtitores së famshme Bund.

Edhe pse zyrtarët kinezë nuk kanë raportuar ende zyrtarisht ndonjë viktimë, media shtetërore raportoi se një djalë nëntëvjeçar nga Wenlingu ishte zhdukur pasi u rrëmbye nga deti. Meteorologët paralajmërojnë se disa pjesë të Zhejiang mund të marrin midis 250 mm dhe 500 mm shi në ditët në vijim.

Në qytetin e Wenzhou-t, 900,000 banorë u zhvendosën në më shumë se 1,000 strehimore të hapura, ndërsa në qytetin e Taizhou-t, 390,000 njerëz u evakuuan.

Është interesante që dezinformata rreth stuhisë u përhap me shpejtësi në internetin kinez. Policia arrestoi dy persona për përhapjen e lajmeve të rreme. Njëri prej tyre, një burrë 60-vjeçar, përdori inteligjencën artificiale (IA) për të krijuar një video të rreme duke pretenduar se dikush në Shangai kishte rënë nga një ndërtesë për shkak të një stuhie.

/Motilokal.com