IKShPK: Konsumimi i tepërt i vajit të palmës mund të rrisë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare

IKShPK: Konsumimi i tepërt i vajit të palmës mund të rrisë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar informacione mbi përdorimin e vajit të palmës dhe ndikimin e tij të mundshëm në shëndet, duke theksuar se konsumimi i tij duhet të jetë i moderuar dhe pjesë e një ushqyerjeje të balancuar.

Sipas IKShPK-së, vaji i palmës është një nga vajrat bimore më të përdorura në botë dhe gjendet në një numër të madh produktesh ushqimore, përfshirë biskotat, ëmbëlsirat, çokollatat, margarinën, produktet e furrës, ushqimet e skuqura dhe ushqimet e gatshme.

Instituti thekson se vaji i palmës përmban rreth 50 për qind yndyra të ngopura, të cilat, kur konsumohen në sasi të mëdha, mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të kolesterolit LDL, të njohur si “kolesteroli i keq”.

“Studimet epidemiologjike dhe metaanalizat kanë treguar se marrja e lartë e yndyrave të ngopura mund të rrisë përqendrimin e kolesterolit LDL, të favorizojë zhvillimin e aterosklerozës dhe të rrisë rrezikun për sëmundje koronare të zemrës, infarkt të miokardit dhe goditje në tru”, thuhet në informacionin e publikuar nga IKShPK.

Instituti vëren gjithashtu se konsumimi i shpeshtë i produkteve që përmbajnë vaj palme shpesh shoqërohet me marrje të lartë kalorike, gjë që mund të kontribuojë në mbipeshë, obezitet dhe diabet të tipit 2.

Megjithatë, IKShPK sqaron se rreziku nuk lidhet vetëm me vetë vajin e palmës, por edhe me modelin e përgjithshëm të ushqyerjes, veçanërisht me konsumimin e tepërt të ushqimeve ultra të përpunuara që përmbajnë yndyra të ngopura, sheqer dhe kripë.

Shqetësim edhe për ndotësit gjatë përpunimit

Një tjetër çështje e ngritur nga IKShPK lidhet me procesin industrial të rafinimit të vajit të palmës.

Sipas institutit, gjatë rafinimit në temperatura të larta mund të krijohen ndotës kimikë, përfshirë esteret 3-MCPD, 2-MCPD dhe glycidyl esteret. Këta të fundit, gjatë tretjes, mund të çlirojnë glycidol, substancë që është klasifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) në Grupin 2A, si “ndoshta kancerogjen për njerëzit”.

IKShPK thekson se vetë vaji i palmës nuk klasifikohet si substancë kancerogjene. Shqetësimi lidhet me ndotësit që mund të krijohen gjatë përpunimit industrial dhe me ekspozimin afatgjatë ndaj sasive të mëdha të ushqimeve të rafinuara që e përmbajnë atë.

Sipas institutit, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, ndërsa kujdes rekomandohet edhe për personat me kolesterol të lartë, sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2, obezitet apo sindromë metabolike, si dhe për të moshuarit dhe gratë shtatzëna e ato në periudhën e laktacionit.

IKShPK i referohet edhe vlerësimeve të Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), sipas të cilave ekspozimi ndaj glycidyl estereve është veçanërisht shqetësues për foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka përcaktuar kufij maksimalë për glycidyl esteret dhe 3-MCPD në vajrat bimore dhe në disa produkte ushqimore, përfshirë formulat për foshnja.

IKShPK: Nuk rekomandohet eliminimi i plotë

Instituti thekson se nuk rekomandohet eliminimi i plotë i vajit të palmës nga dieta, por kufizimi i konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara që përmbajnë sasi të larta të tij.

Sipas rekomandimeve të përmendura nga IKShPK, yndyrat e ngopura duhet të kufizohen dhe, kur është e mundur, të zëvendësohen me burime të yndyrave të pangopura, si vaji i ullirit, vaji i kanolës dhe vajrat me përmbajtje të lartë të acidit oleik.

IKShPK rekomandon një ushqyerje të balancuar, të pasur me fruta, perime, drithëra integrale dhe burime të yndyrave të pangopura, si dhe leximin e etiketave ushqimore.

Në përfundim, sipas institutit, vaji i palmës nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për shëndetin kur konsumohet në sasi të moderuara dhe në kuadër të një diete të ekuilibruar. Shqetësimi kryesor lidhet me konsumimin e shpeshtë të produkteve ultra të përpunuara, të pasura me yndyra të ngopura, si dhe me ekspozimin ndaj disa ndotësve që mund të krijohen gjatë përpunimit industrial.

/Motilokal.com