Raporti i AUV-it: Vaj palme në produkte të tregtuara si qumësht nga Qumështorja VITA, 26 produkte rezultojnë me yndyrë bimore

Raporti i AUV-it: Vaj palme në produkte të tregtuara si qumësht nga Qumështorja VITA, 26 produkte rezultojnë me yndyrë bimore
  1. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë konstatuar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës në produkte të prodhuara dhe të tregtuara si qumësht nga ABRAZEN Sh.P.K., përkatësisht Qumështorja VITA.

Sipas Ministrisë, në mostrat e produkteve My Cow – Qumësht 3.2%, My Cow – Qumësht UHT 3.2% dhe Land – Qumësht UHT 3.2%, profili i acideve yndyrore ka treguar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës, e cila nuk ishte deklaruar për konsumatorët.

Në produktin Garden Milk 1L, përveç pranisë së yndyrës bimore dhe vajit të palmës, është konstatuar edhe qumësht pluhur i padeklaruar.

Ministria thotë se në dokumentacionin e shqyrtuar janë evidentuar gjithsej 26 produkte të operatorit me përmbajtje të vajit të palmës/yndyrës bimore.

Sipas komunikatës, këto konstatime ngrenë çështje jo vetëm sa i përket deklarimit në etiketë, por edhe përbërjes së produkteve që janë tregtuar me emërtime të produkteve të qumështit.

Dyshime për mospërputhje në autorizime

Ministria ka bërë të ditur se Qumështorja VITA kishte aprovim të AUV-së për aktivitetin e qumështit dhe produkteve të qumështit, ndërsa, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, 26 produktet e evidentuara nuk kanë qenë të aprovuara apo të autorizuara për këtë aktivitet, ndonëse janë prodhuar dhe plasuar në treg.

Komunikata thekson se kjo situatë kërkon shqyrtim të plotë të proceseve të prodhimit, gjurmueshmërisë dhe mënyrës së plasimit të produkteve në treg.

Në dokumentacionin për periudhën 2019–2026, sipas Ministrisë, ABRAZEN/VITA rezulton me rreth 3.45 milionë kilogramë qumësht pluhur të koncentruar të importuar, ndërsa për hirrën pluhur evidentohen rreth 1.25 milionë kilogramë. Për vitin 2025, të dhënat për vajin e palmës tregojnë importe prej 980,880 kilogramësh.

Kërkohet mbikëqyrje e shtuar nga AUV

Ministria kërkon që objekti dhe aktivitetet përkatëse të Qumështores VITA të vendosen nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shtuar të AUV-së.

AUV-së i kërkohet të sigurojë gjurmueshmëri të plotë për secilën mostër dhe produkt jokonform, duke lidhur rezultatet laboratorike me markën tregtare, produktin, lotin, datën e prodhimit, sasinë dhe destinacionin.

Ndërkohë, Inspektorati i Tregut, në kuadër të kompetencave të tij, duhet të verifikojë markat tregtare, emërtimin, deklaracionet dhe mënyrën e prezantimit të produkteve para konsumatorit.

Kërkohet verifikimi i produkteve të eksportuara

Ministria ka ngritur gjithashtu çështjen e produkteve të eksportuara në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Sipas dokumentacionit të paraqitur, produkte të tregtuara si qumësht lope My Cow janë eksportuar drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ndërsa qumështi Land drejt Maqedonisë së Veriut.

Duke qenë se analizat e AUV-së kanë konstatuar yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës në mostrat përkatëse, Ministria kërkon që të verifikohen certifikatat e eksportit, lotet, sasitë dhe destinacionet e produkteve.

Në rast se konstatohet mospërputhje ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe kategorisë sipas së cilës është certifikuar për eksport, Ministria kërkon ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese dhe, kur është e nevojshme, njoftimin e autoriteteve kompetente të vendeve të destinacionit.

Rasti i referohet Prokurorisë

Duke marrë parasysh natyrën dhe shtrirjen e konstatimeve, Ministria ka bërë të ditur se çështja do t’i referohet Prokurorisë së Shtetit për vlerësim dhe trajtim në kuadër të kompetencave të saj.

Sipas Ministrisë, referimi nuk paragjykon përgjegjësinë penale, por synon që faktet dhe dokumentacioni i mbledhur të vlerësohen nga organi kompetent dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, të ndërmerren veprimet e parashikuara me ligj.

“Qëndrimi institucional është i qartë: qumështi duhet të jetë qumësht”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Ministria thekson se përgjegjësia institucionale nuk përfundon me rezultatin laboratorik, por përfshin gjurmimin e produkteve deri te loti dhe destinacioni i fundit, marrjen e masave ndaj produkteve të prekura, korrigjimin e proceseve të prodhimit dhe rikthimin e dokumentuar të operatorit në përputhshmëri me kërkesat ligjore.

Në komunikatën e saj, Ministria ka publikuar edhe raportet dhe mostrat e analizave, si dhe prezantimin e ministrit Armend Muja nga konferenca e sotme për media.

https://drive.google.com/drive/mobile/folders/1OiswertKIrd1X-TCzIGNS8-x8IF2XnyJ?usp=sharing&fbclid=IwdGRjcATnE8FjbGNrBOcTuHBkb2YBZXh0bgNhZW0CMTEAc3J0YwZhcHBfaWQMMzUwNjg1NTMxNzI4AAEe8zPJ7syzRlFFeswFOKTdrSysEPAte7rRE_xAiqpCpiqvpKWbYhK9L3EX7nU_aem_55B_GA0O5Rr9N6CiypYMqw

/Motilokal.com