Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar gjatë ditës së sotme inspektimet në treg për produktet e qumështit dhe produktet e ngjashme, pas urdhrit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për tërheqjen e disa produkteve nga tregu i Kosovës.
Në kuadër të kontrolleve për përbërjen dhe deklarimin e produkteve të qumështit dhe produkteve të ngjashme, janë realizuar shtatë inspektime në markete të klasit B dhe C në rajonet e Prishtinës dhe Prizrenit.
Sipas IQMT-së, gjatë kontrolleve janë identifikuar produkte që përmbajnë yndyrë me bazë bimore. Këto produkte janë evidentuar dhe, me urdhër të inspektoratit, janë larguar nga raftet e shitjes.
Produktet e tërhequra gjatë kontrolleve janë:
- Holla Schmand – 400 gram;
- Holla Cooking Cream – 1 litër;
- Magic Krem – 800 gram.
IQMT ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me listën e zgjeruar të produkteve të identifikuara nga AUV dhe të publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndër produktet e prodhuara nga kompania Abrazen LLC – Qumështorja Vita, të cilat sipas autoriteteve duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu, janë:
- Schmand, 18% – 180 g;
- Schmand, 18% – 800 g;
- Schmand, 18% – 400 g;
- Holla Dessert – 1 L;
- Holla Barista, 3.8% – 1 L;
- Graden Milk – 1 L;
- Holla Cooking Cream – 1 L;
- Mushroom Cream Cheese – 200 g;
- Qumësht “My Cow”, 3.2% – 1 L;
- Qumësht UHT “My Cow”, 3.2% – 1 L;
- Qumësht UHT “Land”, 3.2%;
- Djathë i bardhë 100% – 250 g.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se, në baza ditore dhe në bazë të raporteve të inspektorëve të IQMT-së, do ta informojë publikun për produktet e larguara nga tregu, me qëllim të parandalimit të mashtrimit të mëtejshëm të konsumatorëve.
IQMT-ja pritet të vazhdojë kontrollet në treg për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe transparencën e informacionit për konsumatorët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje kompanive prodhuese që t’i tërheqin nga tregu produktet që kanë në përbërje yndyra bimore, ndërsa konsumatorëve u është kërkuar që, në rast se hasin në produktet e lartcekura, t’i raportojnë ato përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000.
/Motilokal.com
