Evropa Perëndimore përjeton qershorin dhe korrikun më të nxehtë në histori

Evropa Perëndimore përjeton qershorin dhe korrikun më të nxehtë në histori

Evropa Perëndimore ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Të dhënat e reja të shërbimit evropian për ndryshimet klimatike, Copernicus, tregojnë se temperaturat rekord janë shoqëruar me thatësirë të madhe, rënie të nivelit të lumenjve dhe rritje të rrezikut për zjarre.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus, temperatura mesatare në Evropën Perëndimore gjatë muajve qershor dhe korrik arriti në 21.62 gradë Celsius.

Kjo është temperatura mesatare më e lartë e regjistruar për këtë periudhë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2022.

Ekspertët thonë se rekordi është pasojë e një periudhe jashtëzakonisht të gjatë të temperaturave të larta. Që nga muaji maj, në Evropën Perëndimore janë regjistruar katër valë të të nxehtit.

Temperaturat ekstreme kanë përkeqësuar edhe thatësirën. Në korrik, pjesë të mëdha të Evropës kanë pasur reshje nën mesataren, përfshirë Spanjën, Francën, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe niveli i disa prej lumenjve kryesorë të Evropës ka rënë ndjeshëm. Sena, Rini dhe Danubi janë ndër lumenjtë më të prekur, ndërsa nivelet e ulëta të ujit kanë shkaktuar probleme për transportin, ujitjen e tokave bujqësore dhe prodhimin e energjisë.

Thatësira dhe temperaturat e larta kanë rritur gjithashtu rrezikun për zjarre pyjore. Franca dhe Spanja janë përballur me disa prej zjarreve më të mëdha gjatë këtij sezoni.

Ekspertët e Copernicus paralajmërojnë se nxehtësia dhe thatësira po përforcojnë njëra-tjetrën. Kur toka thahet, ajo humb një pjesë të aftësisë natyrore për të ftohur sipërfaqen, duke bërë që temperaturat të rriten edhe më lehtë.

Ndërkohë, edhe temperaturat e oqeaneve kanë arritur nivele rekord.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve, jashtë zonave polare, në korrik arriti në 20.96 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të korrikut të vitit 2023.

Një faktor që mund të ndikojë më tej në temperaturat globale është edhe El Niño, fenomeni natyror klimatik në Oqeanin Paqësor.

Sipas ekspertëve, forcimi i El Niños mund të shtyjë temperaturat globale edhe më lart gjatë pjesës së mbetur të vitit ose në fillim të vitit 2027.

Viti 2026 aktualisht renditet si viti i tretë më i nxehtë i regjistruar globalisht, pas viteve 2024 dhe 2025.

Sipas drejtuesit të Copernicus, Carlo Buontempo, shkencëtarët presin që një rekord i ri i temperaturës mesatare globale të vendoset në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, 11 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë, ndërsa ekspertët theksojnë se shkaku kryesor i ngrohjes globale mbetet rritja e gazeve serrë të prodhuara nga aktiviteti njerëzor.

Të dhënat e Copernicus bazohen në miliarda matje të mbledhura nga satelitë, anije, avionë dhe stacione meteorologjike në mbarë botën.

/Motilokal.com