Nga viti i ardhshëm, udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” do të kenë qasje falas në ujë të pijshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, pas një takimi me drejtuesit e aeroportit, ku u diskutuan çështjet mjedisore dhe mundësitë për përmirësimin e standardeve në dhe përreth aeroportit.
Sipas Pacollit, në përputhje me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian, është dakorduar krijimi i këndeve të dedikuara ku pasagjerët do të mund të furnizohen me ujë të pijshëm falas.
Ky shërbim pritet të jetë në dispozicion për të gjithë udhëtarët nga viti i ardhshëm dhe do t’u mundësojë atyre edhe rimbushjen e shisheve dhe enëve të tyre.
Ministrja Pacolli tha se nisma, përveç përmirësimit të shërbimit për udhëtarët, synon edhe reduktimin e mbetjeve plastike.
“Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike”, ka deklaruar Pacolli.
/Motilokal.com
