Një nga fenomenet më spektakolare astronomike të vitit do të mund të vëzhgohet sonte në pjesë të mëdha të Evropës – eklipsi diellor i 12 gushtit.
Eklipsi do të jetë i plotë në pjesë të Grenlandës, Islandës, Spanjës dhe në një zonë të vogël të Portugalisë, ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës do të shihet pjesërisht. Sipas NASA-s dhe Agjencisë Evropiane të Hapësirës, bëhet fjalë për eklipsin e parë të plotë të dukshëm nga Evropa kontinentale që nga viti 1999.
Edhe Kosova do të jetë në zonën ku eklipsi mund të vëzhgohet pjesërisht. Në Prishtinë, fenomeni pritet të nisë në orën 19:29, ndërsa kulmin do ta arrijë rreth 19:38, kur Hëna do të mbulojë rreth 9.4 për qind të diskut të Diellit. Faza e dukshme në Prishtinë përfundon rreth orës 19:41.
Në Prizren, eklipsi do të nisë gjithashtu rreth orës 19:29 dhe maksimumi pritet në 19:39.
Edhe në Shqipëri fenomeni do të jetë i pjesshëm. Në Tiranë, eklipsi nis rreth orës 19:31, arrin maksimumin në 19:41 dhe përfundon rreth 19:44.
Për shkak se eklipsi ndodh pranë perëndimit të Diellit, vëzhgimi mund të jetë më i vështirë në zonat me pengesa në horizont. Për një pamje më të mirë rekomandohet një vend i hapur, me horizont të lirë në drejtim të perëndimit.
Ekspertët paralajmërojnë se Dielli nuk duhet të shikohet drejtpërdrejt me sy të lirë. Gjatë fazës së pjesshme duhen përdorur syze të posaçme për eklipse ose metoda indirekte të vëzhgimit, si projektori me vrimë të vogël.
Fenomeni i sotëm pritet të jetë veçanërisht mbresëlënës në Spanjë, ku në pjesë të veriut eklipsi do të jetë i plotë, pak para perëndimit të Diellit. Në Evropën kontinentale, një eklips i plotë nuk është parë që nga viti 1999.
/Motilokal.com
