Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndaluar punimet në nëntë gurthyes që dyshohet se kanë ushtruar veprimtarinë në kundërshtim me ligjin dhe pa dokumentacionin e nevojshëm.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bëri të ditur se shtatë prej këtyre gurthyesve ndodhen në Suharekë, ndërsa dy të tjerë në Skenderaj.
Sipas Pacollit, aksioni është ndërmarrë pas shqyrtimit të dosjeve të më shumë se 200 gurthyesve në vend.
“Ky aksion vjen pas analizës së dosjeve të mbi 200 gurthyesve. Aksionet do të vazhdojnë në terren dhe çdo subjekt që kapet duke vepruar jashtë ligjit do të përballet me masa”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa subjektet që operojnë pa lejet dhe dokumentacionin përkatës do të përballen me masa ligjore.
Ministria ka bërë të qartë se nuk do të tolerohen aktivitetet e paligjshme që, përveç shkeljes së rregullave, mund të shkaktojnë edhe dëme në mjedis.
/Motilokal.com
