Në pamje të parë duket si një paradoks: një zjarrfikës i vë flakën pyllit për të luftuar një tjetër zjarr. Por bëhet fjalë për një teknikë profesionale të njohur si kundërzjarr, e cila përdoret në situata të caktuara për të frenuar përhapjen e zjarreve pyjore me intensitet të lartë.
Ambientalisti Abdulla Diku shpjegon se, kur zjarri bëhet shumë intensiv, sulmi i drejtpërdrejtë ndaj frontit mund të jetë joefektiv dhe tepër i rrezikshëm. Në këto raste, ekipet e specializuara mund të përdorin zjarrin në mënyrë të kontrolluar për t’i hequr zjarrit kryesor materialin djegës që i nevojitet për t’u përhapur.
Sipas tij, kundërzjarri nis nga një vijë e sigurt kontrolli, si një rrugë, transhe apo përrua. Nga kjo pikë ndizet në mënyrë të kontrolluar vegjetacioni që ndodhet ndërmjet vijës së kontrollit dhe frontit kryesor të zjarrit.
Në këtë mënyrë krijohet një brez ku karburanti, pra materiali që mund të digjet, konsumohet përpara se të mbërrijë zjarri i madh. Kur fronti kryesor arrin në atë zonë, gjen shumë më pak material për të djegur dhe intensiteti i tij mund të ulet ndjeshëm, madje në kushte të përshtatshme edhe të ndalet.
“Pra, në kuptimin figurativ, zjarri përplaset me zjarrin. Teknikisht ndodh diçka tjetër: zjarrit kryesor i hiqet karburanti përpara se të mbërrijë tek zona që dogjëm vetë”, shpjegon Diku.
Kjo taktikë mund të jetë e rëndësishme për mbrojtjen e pyjeve me vlerë të lartë, habitateve, zonave të mbrojtura, vendbanimeve dhe infrastrukturës, veçanërisht kur afrimi i drejtpërdrejtë te fronti i zjarrit është i pamundur.
Megjithatë, ambientalisti thekson se kundërzjarri është një operacion me rrezik të lartë dhe nuk mund të kryhet nga persona të patrajnuar. Para përdorimit të tij duhet të analizohen vazhdimisht drejtimi dhe shpejtësia e erës, topografia, lloji dhe lagështia e materialit djegës, kushtet atmosferike si dhe intensiteti e drejtimi i frontit kryesor.
Një ndryshim i papritur i erës mund ta përkeqësojë situatën dhe ta bëjë zjarrin e kontrolluar të dalë jashtë kontrollit. Për këtë arsye, kundërzjarri duhet të planifikohet dhe zbatohet vetëm nga ekipe të kualifikuara, me linja të sigurta kontrolli, komunikim të mirë dhe rrugë të përcaktuara për tërheqje.
Diku ngre gjithashtu nevojën për më shumë specialistë të trajnuar për menaxhimin e zjarreve pyjore.
“Përballë një zjarri ekstrem, pyetja profesionale nuk është gjithmonë: ‘Si të futemi te flaka?’, por: ‘Ku mund ta presim zjarrin dhe si t’ia heqim karburantin përpara se të arrijë atje?’”, shkruan ai.
Sipas Dikut, në zjarret intensive, jo gjithmonë zgjidhja është sulmi frontal. Në raste të caktuara, zjarri mund të frenohet duke i hequr materialin që e ushqen.
Në foton e publikuar nga ambientalisti shihet një zjarrfikës që ka zgjedhur një rrugë si pikënisje të sigurt për realizimin e kundërzjarrit.
/Motilokal.com
