Djersitja e tepërt gjatë natës mund të jetë shenjë sëmundjeje: Mjeku zbulon se kur duhet të kërkoni ndihmë

Djersitja e tepërt gjatë natës mund të jetë shenjë sëmundjeje: Mjeku zbulon se kur duhet të kërkoni ndihmë

Djersitja e vazhdueshme dhe e tepërt gjatë natës në disa raste mund të jetë një shenjë e hershme e kancerit. Ekspertët zbulojnë se kur ka shkak për shqetësim.

Jiri Kubes, një onkolog rrezatimi nga Qendra e Terapisë me Protone në Spitalin University College në Londër, tha se është thelbësore të vlerësohet nëse ka një shpjegim të qartë për ankesat, raporton Daily Mail.

"Gjatë motit të nxehtë, pothuajse të gjithë do të përjetojnë netë më të ngrohta dhe më të pakëndshme. Kjo e bën shumë të lehtë anashkalimin e një simptome që përndryshe do të ishte shkak për shqetësim", tha ai.

Sipas tij, ndryshimi është i rëndësishëm kur dhoma është e ftohtë, dhe personi zgjohet vazhdimisht me pizhame plotësisht të lagura.

Djersitje të tilla të tepërta natën janë lidhur me lloje të caktuara të kancerit të gjakut, përfshirë limfomën, një sëmundje e shkaktuar nga ndryshimet e ADN-së në qelizat e gjakut që i bëjnë ato të sillen në mënyrë anormale dhe të ndërhyjnë në rritjen dhe funksionin e qelizave të shëndetshme.

Simptomat e zakonshme të kancerit të gjakut përfshijnë lodhjen, infeksionet e shpeshta, mavijosjet ose gjakderdhjet e pashpjegueshme, dhimbjet e kockave dhe të kyçeve që ndërhyjnë në gjumë ose aktivitetet e përditshme, humbjen e peshës, vështirësinë në frymëmarrje, kruajtjen e vazhdueshme të lëkurës dhe ënjtjen në qafë, sqetulla ose ijë.

Kubes tha se një ose dy netë me djersitje gjatë një vale të nxehti në përgjithësi nuk janë arsye për panik, por duhet të kontaktoni mjekun nëse djersitjet e pashpjegueshme të natës përsëriten rregullisht për më shumë se dy ose tre javë.

"Mos prisni vetëm që moti të ftohet nëse djersitja është e madhe, e vazhdueshme ose shoqërohet me simptoma të tjera", vuri në dukje ai.

Ai gjithashtu theksoi se kanceri nuk është shkaku më i zakonshëm, pasi djersitja gjatë natës mund të shkaktohet nga menopauza, ankthi, tiroide tepër aktive, alkooli dhe disa ilaçe të caktuara si ilaqet kundër depresionit, steroidet dhe disa analgjezikë.

/Motilokal.com