Task Forca e Sezonit Turistik mblidhet pas ngjarjes në Vlorë, në fokus siguria

Task Forca e Sezonit Turistik mblidhet pas ngjarjes në Vlorë, në fokus siguria

Pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në një strukturë akomoduese në Vlorë, Task Forca Ndërinstitucionale e Sezonit Turistik u mblodh sot, më 17 gusht, për të vlerësuar masat e sigurisë dhe për të përcaktuar hapa të mëtejshëm për forcimin e tyre gjatë sezonit turistik.

Në fokus të takimit ishte rritja e kontrolleve në strukturat akomoduese, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimi i një reagimi sa më të shpejtë në rastet e emergjencave.

Task Forca theksoi se siguria e pushuesve, qytetarëve dhe punonjësve të sektorit turistik është e panegociueshme, duke kërkuar respektim të rreptë të standardeve të sigurisë nga të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

Në këtë kuadër, u kërkua intensifikimi i kontrolleve në strukturat akomoduese në të gjithë vendin, me fokus të veçantë te kushtet teknike dhe masat për mbrojtjen nga zjarri, funksionimi i sistemeve dhe pajisjeve të sigurisë, daljet e emergjencës, sinjalistika dhe planet e evakuimit.

Institucionet përgjegjëse u ngarkuan gjithashtu të forcojnë koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit në terren, në mënyrë që çdo problematikë e evidentuar të shoqërohet me ndërhyrje të shpejtë dhe masa konkrete.

Task Forca bëri të qartë se respektimi i standardeve të sigurisë duhet të jetë prioritet në çdo strukturë turistike, veçanërisht gjatë periudhës së fluksit të lartë të pushuesve.


/Motilokal.com