Pukë, vijon beteja me flakët në malin e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit

Pukë, vijon beteja me flakët në malin e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit

Prefektura e Qarkut Shkodër njoftoi sot se vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në pyjet e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, në territorin e bashkisë Pukë.

Sipas autoriteteve, situata në Malin e Tërbunit paraqitet më e qetë dhe aktualisht është nën kontroll. Ndërkohë, në zonën Gjegjan–Gojan situata mbetet më dinamike, për shkak të përhapjes së flakëve, e favorizuar nga temperaturat e larta dhe era.

Në terren po punojnë dy mjete zjarrfikëse të bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz, efektivë të MZSH-së së këtyre bashkive, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe punonjës të administratës, banorë dhe vullnetarë të zonës.

Operacioni po mbështetet edhe nga ajri me dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë kryesisht në zonat ku terreni i vështirë e bën të kufizuar ndërhyrjen nga toka.

Deri tani, autoritetet bëjnë të ditur se nuk raportohet afërsi kritike e zjarrit me banesat.

Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e të gjitha strukturave të angazhuara në terren, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, deri në normalizimin e plotë të situatës.

/Motilokal.com