Nëse ju duket se mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektivin e tyre kryesor, shkenca ka një shpjegim. Studiuesit kanë zbuluar se këto insekte nuk pickojnë rastësisht, por udhëhiqen nga një kombinim faktorësh biologjikë dhe kimikë që ndryshojnë nga një person te tjetri.
Sipas ekspertëve, mushkonjat tërhiqen kryesisht nga dioksidi i karbonit që nxjerrim gjatë frymëmarrjes, aroma e trupit, temperatura e lëkurës dhe lagështia. Vetëm mushkonjat femra pickojnë njerëzit, pasi kanë nevojë për gjak për procesin e riprodhimit.
Shkencëtarët shpjegojnë se dioksidi i karbonit është sinjali i parë që i orienton mushkonjat drejt njeriut. Kur afrohen më shumë, ato fillojnë të dallojnë aromat e veçanta të trupit, të cilat mund ta bëjnë një person më tërheqës se një tjetër.
Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, nuk ka prova të forta shkencore që mushkonjat preferojnë lloje të caktuara gjaku. Po ashtu, nuk është vërtetuar se ngjyra e syve, flokëve apo e lëkurës ndikon drejtpërdrejt në pickimet e tyre.
Në qendër të vëmendjes së studiuesve është mikrobioma e lëkurës, e cila prodhon qindra përbërje kimike të ndryshme. Disa prej tyre rezultojnë veçanërisht tërheqëse për mushkonjat.
Një studim i fundit identifikoi një substancë të quajtur “1-okten-3-ol”, e njohur edhe si “alkooli i kërpudhave”, e cila prodhohet nga zbërthimi i sebumit të lëkurës. Personat që prodhonin sasi më të mëdha të kësaj substance rezultuan më tërheqës për mushkonjat.
Ekspertët kanë zbuluar gjithashtu se konsumimi i birrës rrit rrezikun e pickimit. Birra rrit temperaturën e trupit, sasinë e dioksidit të karbonit të nxjerrë dhe ndryshon aromën e lëkurës, duke e bërë një person më të dukshëm për insektet.
/Motilokal.com
