Hipertermia është një gjendje patologjike që shfaqet kur temperatura e trupit rritet në mënyrë të rrezikshme si pasojë e ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave të larta.
Edhe pse mund të prekë këdo, më të rrezikuarit janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Njihni simptomat
Shenjat që mund të tregojnë hipertermi ose goditje nga i nxehti përfshijnë:
- Temperaturë të lartë – temperatura e trupit mund të kalojë 39°C.
- Lëkurë të nxehtë dhe të thatë – lëkura mund të jetë e skuqur dhe pa djersë.
- Marramendje dhe konfuzion – në raste më të rënda mund të shfaqet edhe humbja e vetëdijes.
- Rrahje të shpejta të zemrës – pulsi mund të jetë jashtëzakonisht i shpejtë.
- Dhimbje koke – shpesh e fortë dhe pulsuese.
Si ta parandaloni
Për të ulur rrezikun gjatë ditëve me temperatura të larta, rekomandohet:
- Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet fizike në diell gjatë orëve më të nxehta, veçanërisht nga 11:00 deri në 18:00.
- Pini ujë rregullisht dhe mos prisni të shfaqet etja.
- Vishuni me rroba të lehta, mundësisht prej pambuku.
- Përdorni kapele dhe syze dielli kur qëndroni jashtë.
- Qëndroni në ambiente të freskëta ose në hije sa më shumë që të jetë e mundur.
Veproni menjëherë
Goditja nga i nxehti është një urgjencë mjekësore. Nëse një person shfaq konfuzion të rëndë, humb vetëdijen ose ka temperaturë shumë të lartë, largojeni menjëherë nga dielli, vendoseni në një ambient të freskët dhe kërkoni ndihmë urgjente mjekësore.
Në raste të tilla, mos prisni që simptomat të kalojnë vetë.
/Motilokal.com
