Kosova e vetmja me 100 për qind përmbushje të obligimeve mjedisore në EIONET për vitin 2025

Kosova e vetmja me 100 për qind përmbushje të obligimeve mjedisore në EIONET për vitin 2025

Kosova ka shënuar rezultat maksimal në raportimin mjedisor për vitin 2025, duke përmbushur 100 për qind të obligimeve në kuadër të Rrjetit Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit të Mjedisit (EIONET).

Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Kosova është i vetmi vend që ka arritur përmbushje të plotë të obligimeve të raportimit për vitin 2025, duke dëshmuar se të dhënat mjedisore janë ofruar në kohë dhe me cilësi të lartë.

Vlerësimi i realizuar në kuadër të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) përfshin qindra grupe të të dhënave dhe mat performancën e vendeve në aspektin e përpikërisë dhe cilësisë së raportimit.

Përveç Kosovës, shtatë vende të tjera kanë arritur rezultat prej 90 për qind ose më shumë. Ato janë Maqedonia e Veriut, Kroacia, Irlanda, Hungaria, Polonia, Serbia dhe Sllovakia.

Ndërkohë, objektivi mesatar prej të paktën 90 për qind, i përcaktuar në Strategjinë EEA-Eionet 2021–2030, nuk është arritur plotësisht. Për vitin 2025, performanca mesatare ishte 88 për qind për 27 vendet e BE-së dhe 85 për qind për të gjitha vendet e EEA-së dhe vendet bashkëpunuese.

AMMK me pikë maksimale në të gjitha fushat

Sipas AMMK-së, Kosova ka marrë pikët maksimale në të gjitha fushat obligative të raportimit.

Këto përfshijnë:

  • të dhënat vjetore për cilësinë e ajrit;
  • të dhënat online për cilësinë e ajrit;
  • emisionet në ajër;
  • gazrat serrë;
  • zonat e mbrojtura;
  • cilësinë e ujërave; dhe
  • sasinë e ujërave.

Ky është viti i pestë radhazi që Kosova arrin rezultat maksimal në përmbushjen e obligimeve të raportimit në kuadër të EIONET.

Nga AMMK-ja thuhet se ky rezultat është arritur falë punës së ekspertëve të agjencisë, bashkëpunimit me institucionet monitoruese në nivel vendi dhe mbështetjes së donatorëve përmes projekteve të ndryshme.

EIONET është rrjet partneriteti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit me vendet anëtare dhe bashkëpunuese. Të dhënat e raportuara përmes këtij rrjeti ndihmojnë në vlerësimin e gjendjes së mjedisit dhe u ofrojnë institucioneve dhe publikut informacion të besueshëm për politikat dhe vendimmarrjen mjedisore.

AMMK e vlerëson këtë arritje si dëshmi të përkushtimit të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve të saj në bashkëpunim me EEA-në dhe EIONET-in, si dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian.

/Motilokal.com