Kur zjarret krijojnë stuhi: misteri i reve pirokumulonimbus

Kur zjarret krijojnë stuhi: misteri i reve pirokumulonimbus

NASA ka nisur një mision të veçantë për të studiuar nga afër një prej fenomeneve më të fuqishme që mund të krijojnë zjarret e mëdha: stuhitë e krijuara nga zjarri, të njohura si pyrocumulonimbus.

Sipas NASA-s, studiuesit gjatë këtij vera po përdorin avionë të posaçëm për të hyrë në shtëllungat e tymit të zjarreve dhe për të mbledhur të dhëna që nuk mund të sigurohen lehtësisht nga toka apo satelitët.

Retë pyrocumulonimbus formohen kur zjarret intensive çlirojnë sasi të mëdha nxehtësie. Ajri i nxehtë, së bashku me tymin, hirin dhe avujt e ujit, ngrihet me shpejtësi në atmosferë dhe mund të krijojë re të fuqishme të ngjashme me ato të stuhive të zakonshme.

Por këto nuk janë re të zakonshme. Ato mund të prodhojnë vetëtima, breshër, reshje të dendura dhe erëra të fuqishme, ndërsa në raste të caktuara mund të kontribuojnë edhe në krijimin e tornadove të zjarrit.

Avionët futen në shtëllungat e tymit

Në kuadër të misionit INSPYRE, shkencëtarët po përdorin avionin e NASA-s ER-2 dhe një Gulfstream V të NSF/NCAR për të marrë mostra dhe për të matur përbërjen e shtëllungave të tymit.

Më 3 gusht, një prej avionëve ndoqi tymin e zjarrit Widemouth 2 në Utah dhe fluturoi në një shtëllungë rreth 12 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

Pajisjet në bord mblodhën të dhëna në një lartësi që zakonisht është e vështirë të përfshihet në modelet e parashikimit të motit.

Shkencëtarët duan të kuptojnë pse disa zjarre krijojnë këto re gjigante, ndërsa të tjera jo. Ata po studiojnë gjithashtu se cilat lloje bimësie favorizojnë formimin e tyre dhe pse disa prej këtyre reve prodhojnë më shumë vetëtima se të tjerat.

Të dhënat e mbledhura nga avionët mund të ndihmojnë në përmirësimin e parashikimeve dhe, rrjedhimisht, në organizimin më të mirë të ndërhyrjeve kundër zjarreve dhe evakuimeve.

Retë e zjarrit mund të arrijnë deri në stratosferë

Disa re pyrocumulonimbus mund të arrijnë lartësi prej 9 deri në 15 kilometra, duke kaluar shtresën e troposferës dhe duke depërtuar në stratosferë.

Kjo i bën ato veçanërisht të rëndësishme për shkencëtarët, pasi tymi dhe gazrat që transportohen në këto lartësi mund të qëndrojnë në atmosferë për muaj, madje edhe më gjatë.

Një studim i publikuar nga NOAA në vitin 2023 tregoi se tymi i injektuar në atmosferën e sipërme nga këto re mund të qëndrojë për muaj të tërë. Zjarret e vitit 2017 në veriperëndim të Paqësorit çuan aq shumë tym në atmosferë sa pajisjet e vëzhgimit në distanca të mëdha e monitoruan atë për më shumë se tetë muaj.

Zjarret mund të krijojnë motin e tyre

Kur zjarret bëhen shumë të mëdha dhe intensive, ato mund të krijojnë kushtet e tyre atmosferike. Nxehtësia e madhe e ngroh ajrin mbi zjarr, ndërsa ky ajër ngrihet dhe ftohet në lartësi.

Avujt e ujit kondensohen mbi grimcat e hirit dhe tymit, duke formuar fillimisht re pyrocumulus. Nëse kushtet atmosferike janë të përshtatshme, këto re vazhdojnë të rriten dhe mund të shndërrohen në pyrocumulonimbus stuhi të vërteta të lindura nga zjarri.

Një nga rreziqet më të mëdha është se këto stuhi mund të prodhojnë vetëtima, duke shkaktuar zjarre të reja në zona përreth. Erërat e fuqishme të krijuara prej tyre mund ta përkeqësojnë gjithashtu situatën.

Në kushte ekstreme, këto sisteme mund të krijojnë edhe tornado zjarri, vorbulla të fuqishme të shkaktuara nga zjarri që mund të përmbajnë flakë, hi dhe materiale të tjera të djegshme.

NASA shpreson se studimi i këtyre fenomeneve do të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si zjarret e mëdha ndikojnë në atmosferë dhe klimë, si dhe të përmirësojnë parashikimin e sjelljes së tyre.

/Motilokal.com