Malet përreth Prishtinës në flakë, Komuna me apel urgjent për qytetarët

Malet përreth Prishtinës në flakë, Komuna me apel urgjent për qytetarët

Komuna e Prishtinës ka bërë apel urgjent për të gjithë qytetarët, pas situatës së krijuar me zjarret në malet përreth kryeqytetit.

Përmes një njoftimi, Komuna ka paralajmëruar se temperaturat e larta dhe kushtet e thata krijojnë rrezik të madh për përhapjen e shpejtë të zjarreve. Sipas apelit, mjafton vetëm një shkëndijë që flakët të përhapen dhe të rrezikojnë pyjet, kafshët, pronat dhe jetën e njerëzve.

Qytetarëve u është bërë thirrje që të tregojnë kujdes maksimal dhe:

  • Të mos ndezin zjarre në natyrë
  • Të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina
  • Të mos hedhin cigare të ndezura
  • Të mos lënë prush apo materiale që mund të shkaktojnë zjarr

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse vërejnë tym apo zjarr, të largohen nga zona e rrezikut dhe të njoftojnë menjëherë Zjarrfikësit e Kryeqytetit në numrin 193.

Në apel është shprehur mirënjohje për zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët po përballen me zjarret pa ndërprerje.

“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, thuhet në apel, duke u theksuar se mbrojtja e natyrës, pronës dhe jetës është përgjegjësi e secilit qytetar.

Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë kujdes maksimal, pasi situata e zjarreve kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim nga të gjithë.

/Motilokal.com