Zjarret dëmtojnë natyrën dhe biodiversitetin, pasojat mund të zgjasin me vite

Zjarret dëmtojnë natyrën dhe biodiversitetin, pasojat mund të zgjasin me vite

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka tërhequr vëmendjen për pasojat që zjarret shkaktojnë në natyrë dhe në biodiversitet.

Përmes një postimi në Facebook, AMMK ka theksuar se dëmet nga zjarret nuk kufizohen vetëm te djegia e pyjeve dhe vegjetacionit, por mund të ndikojnë në ekosistemet për një periudhë të gjatë.

Sipas Agjencisë, ndër pasojat kryesore janë humbja e habitateve natyrore, pasi djegia e pyjeve, shkurreve dhe bimësisë shkatërron hapësirat ku jetojnë dhe ushqehen shumë specie.

Zjarret mund të shkaktojnë edhe ulje të biodiversitetit, duke prekur bimët, insektet, shpendët, gjitarët dhe organizmat e tjerë. Ndërkohë, kafshët detyrohen të largohen nga habitatet e tyre, ndërsa ato që mbeten mund të fragmentohen dhe izolohen.

Një tjetër pasojë është zhdukja e specieve të ndjeshme, të cilat mund të mos kenë aftësi të mjaftueshme për t'u rikuperuar pas një zjarri të madh.

AMMK paralajmëron edhe për erozionin dhe degradimin e tokës, pasi humbja e mbulesës bimore e lë tokën më të ekspozuar ndaj shiut dhe erës.

Zjarret ndikojnë gjithashtu në cilësinë e ujërave, pasi hiri dhe sedimentet mund të përfundojnë në lumenj, liqene dhe burime, duke dëmtuar ekosistemet ujore.

Sipas Agjencisë, humbja e pyjeve ndikon edhe në klimën dhe mikroklimën lokale, duke reduktuar hijëzimin, ruajtjen e lagështisë dhe kapacitetin e ekosistemeve për absorbimin e karbonit.

Në rrezik janë edhe pjalmuesit, pasi humbja e bimëve dhe habitateve të insekteve mund të ndikojë në procesin e pjalmimit dhe riprodhimin e shumë specieve bimore.

AMMK thekson se rikuperimi i pyjeve mund të kërkojë shumë vite. Edhe nëse bimësia fillon të rigjenerohet pas zjarrit, një pyll i pjekur mund të kërkojë dekada për t'u rikthyer.

Degradimi i ekosistemit mund të rrisë gjithashtu rrezikun për zjarre të përsëritura, ndërsa zhdukja e popullatave të vogla të një specieje mund të çojë edhe në humbje të diversitetit gjenetik dhe të aftësisë së saj për t'u përshtatur.

Mesazhi i Agjencisë është se zjarret nuk janë vetëm një problem i momentit, por mund të lënë pasoja të thella në natyrë dhe biodiversitet për vite apo edhe dekada.


/Motilokal.com