Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka publikuar një analizë krahasuese të kushteve klimatike për periudhën korrik–gusht 2025 dhe korrik–gusht 2026, duke analizuar temperaturat, ekstremet e vapës, netët tropikale dhe reshjet në disa stacione meteorologjike të vendit.
Sipas analizës, krahasimi mes dy viteve tregon ndryshime të dukshme nga një muaj në tjetrin. Korriku 2026 ishte më i freskët dhe me dukshëm më shumë reshje se korriku i vitit 2025, ndërsa gushti 2026 rezulton më i nxehtë se gushti 2025.
Gjatë korrikut 2025, vala e të nxehtit solli temperatura jashtëzakonisht të larta. Në stacionin meteorologjik të Klinës u regjistruan 42.4°C, ndërsa në Han të Elezit temperatura arriti në 42.2°C.
Këto vlera tejkalojnë ekstremin absolut prej 40.17°C të evidentuar në serinë orare të analizuar, duke dëshmuar për shtrirjen e gjerë të valës së nxehtësisë në Kosovë gjatë atij muaji.
Ndërkohë, korriku 2026 u karakterizua nga reshje të shumta. Në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës u regjistruan mbi 100 milimetra reshje gjatë muajit, me përjashtim të zonave qendrore dhe verilindore, ku sasitë ishin dukshëm më të ulëta.
Analiza ka marrë në shqyrtim temperaturën mesatare, temperaturat maksimale dhe minimale ditore, ekstremet absolute me datë dhe orë, numrin e ditëve me temperatura prej të paktën 35°C dhe 38°C, si dhe numrin e netëve tropikale, kur temperatura minimale gjatë orëve të natës arrin ose tejkalon 20°C.
Agjencia thekson se ekstremet e evidentuara në stacionet e përfshira në analizë nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht temperaturat më të larta të regjistruara në nivel vendi.
Sipas AMMK-së, të dhënat tregojnë se kushtet klimatike mund të ndryshojnë ndjeshëm edhe brenda të njëjtit sezon. Për këtë arsye, monitorimi muaj pas muaji është më i rëndësishëm sesa nxjerrja e përfundimeve të përgjithshme vetëm në bazë të një sezoni.
Këto ndryshime kanë rëndësi edhe për bujqësinë, pasi strategjitë dhe vendimet duhet të përshtaten me kushtet aktuale të motit dhe klimës, në vend që të bazohen vetëm në modelet e viteve të kaluara.
/Motilokal.com
