Përparim Rama me zotim të madh: Problemi i pastrimit në Prishtinë do të zgjidhet përfundimisht

Përparim Rama me zotim të madh: Problemi i pastrimit në Prishtinë do të zgjidhet përfundimisht

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna po ndërmerr hapa për t’i dhënë zgjidhje çështjes së pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Rama, së bashku me nënkryetaren Besianë Musmurati dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka vizituar Ndërmarrjen Publike “Pastrimi”, ku ka zhvilluar takime me drejtuesit dhe punëtorët e ndërmarrjes.

Gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale të shërbimeve të pastrimit, sfidat me të cilat përballet ndërmarrja dhe masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e situatës.

Rama ka deklaruar se Komuna do të ndërmarrë, në bashkëpunim me ndërmarrjen, hapat e nevojshëm për përmirësimin e menjëhershëm të gjendjes.

“Çështjes së pastrimit po i japim zgjidhje përfundimisht”, ka thënë Rama.

Sipas tij, synimi nuk është vetëm përmirësimi i situatës aktuale, por edhe krijimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme për pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet.

Komuna e Prishtinës pritet që në vijim të konkretizojë masat dhe hapat që do të ndërmerren për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në qytet.


/Motilokal.com