Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka bërë të ditur se agjencia pritet të prezantojë një nismë të re për zgjerimin e përdorimit civil të teknologjisë bërthamore në sektorin detar.
Grossi e bëri njoftimin pas takimit në Washington me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, ku diskutuan për nisjen e nismës ATLAS – “Atomic Technologies Licensed for Applications at Sea”.
Sipas IAEA-së, kjo nismë synon të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive bërthamore në det, përfshirë anijet me energji bërthamore dhe centralet bërthamore lundruese.
Grossi tha se teknologjitë e tilla mund të luajnë rol në lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare, si dhe në furnizimin me energji të komuniteteve dhe industrive që ndodhen në zona të largëta.
“Jam i kënaqur që jam me Sekretarin Wright në Washington, DC, përpara nisjes së ATLAS”, shkroi Grossi në platformën X, duke falënderuar SHBA-në për mbështetjen ndaj kësaj nisme.
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje që lidhen me mospërhapjen e armëve bërthamore, programin bërthamor të Iranit dhe vizitën e fundit të Grossit në Siri. Për situatën në Siri, ai tha se është shënuar “progres i rëndësishëm”.
Nisma ATLAS pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë një takimi ministror të IAEA-së, të organizuar nga Shtetet e Bashkuara në Washington më 26 dhe 27 gusht.
/Motilokal.com
