Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur aksionin për mbikëqyrjen e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë në Kosovë, me fokus në parandalimin dhe evidentimin e rasteve të ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë.
Inspektimet po zhvillohen në Prizren, Prishtinë dhe Obiliq, në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-074 për Turizmin dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2024.
Gjatë kontrolleve është evidentuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit. IQMT thekson se personat që ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në Kosovë duhet të jenë të pajisur me licencën përkatëse.
Sipas institucioneve, angazhimi i udhërrëfyesve të palicencuar, përveç shkeljes së dispozitave ligjore, mund të ndikojë edhe në mënyrën se si prezantohen historia, trashëgimia kulturore dhe vlerat turistike të Kosovës.
IQMT paralajmëron se ndaj operatorëve turistikë, bizneseve dhe personave që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e veprimtarisë pa licencë do të ndërmerren masat e përcaktuara me ligj.
Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me ligjin përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro.
Institucionet u kanë bërë thirrje operatorëve turistikë që të angazhojnë udhërrëfyes të licencuar dhe të respektojnë kriteret dhe procedurat ligjore.
IQMT ka inkurajuar veçanërisht kompanitë turistike që të angazhojnë udhërrëfyes vendorë të licencuar, me qëllim që vizitorët të marrin informacione të sakta dhe profesionale, ndërsa trashëgimia historike e kulturore e Kosovës të prezantohet në mënyrë të denjë.
/Motilokal.com
