Mbi 200 thasë me mbeturina largohen nga Liqeni i Badovcit

Mbi 200 thasë me mbeturina largohen nga Liqeni i Badovcit

Mbi 200 thasë me mbeturina janë larguar nga Liqeni i Badovcit gjatë një aksioni të pastrimit të organizuar nga Let's Do It – Ta Pastrojmë Kosovën, me mbështetjen e European Fund for the Balkans.

Aksioni u fokusua në largimin e mbeturinave, kryesisht plastikës, nga sipërfaqja e ujit dhe hapësirat përreth liqenit. Falë angazhimit të përbashkët të institucioneve, organizatave dhe vullnetarëve, pamja e një pjese të ndotur të Badovcit është përmirësuar ndjeshëm.

Në aksion morën pjesë dhe kontribuuan Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, NPL Gjelbër dhe Federata e Peshkatarëve Sportiv-Rekreativ të Kosovës, ndërsa pjesëmarrjen e tyre e dhanë edhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës, Rotaract Club Prishtina Ulpiana dhe shumë vullnetarë.

Organizatorët theksuan se pastrimi i liqenit nuk është zgjidhje afatgjatë nëse ndotja vazhdon. Për këtë arsye, u bëhet thirrje KRU Prishtina dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të vazhdueshme për parandalimin e ndotjes dhe mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.

Njëkohësisht, qytetarët janë ftuar të mos hedhin mbeturina në liqen dhe në hapësirat përreth tij.

Badovci është burim uji dhe pasuri e përbashkët, ndërsa mbrojtja e tij mbetet përgjegjësi e të gjithëve.


/Motilokal.com