Në ditët me temperatura të larta, kujdesi ndaj ekspozimit në diell dhe hidratimi janë të rëndësishëm për të shmangur problemet shëndetësore të shkaktuara nga nxehtësia.
Për të përballuar më lehtë motin e nxehtë, rekomandohet:
- Pini mjaftueshëm ujë, edhe nëse nuk ndiheni të etur. Kur dilni nga shtëpia, merrni ujë me vete dhe shmangni pijet që mund të ndikojnë në dehidratim.
- Mbrohuni nga dielli duke përdorur krem kundër diellit, kapele me strehë të gjerë, syze dielli dhe veshje të lehta me ngjyra të çelëta.
- Shmangni daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës. Nëse është e domosdoshme të dilni, preferoni orët e mëngjesit ose të mbrëmjes, qëndroni në hije dhe bëni pushime të shpeshta.
- Mbajeni shtëpinë sa më të freskët. Ajroseni gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës mbani të mbyllura dritaret dhe grilat.
- Mos i lini asnjëherë fëmijët apo kafshët shtëpiake vetëm në automjet, edhe për një kohë të shkurtër.
- Kujdesuni për familjarët, miqtë dhe fqinjët, veçanërisht për të moshuarit, personat që jetojnë vetëm dhe ata që kanë nevojë për ndihmë shtesë.
- Kushtojini vëmendje shenjave të problemeve nga nxehtësia. Dhimbja e kokës, marramendja, të përzierat ose të vjellat mund të jenë shenja se trupi po e përballon vështirë temperaturën e lartë. Në këto raste, kaloni menjëherë në një ambient më të freskët dhe kërkoni ndihmë mjekësore nëse gjendja përkeqësohet.
Kujdesi dhe masat e thjeshta parandaluese mund të ndihmojnë në shmangien e pasojave të temperaturave të larta.
/Motilokal.com
