Pacolli: Shtatë gurthyesve u janë ndaluar punimet, ndërsa tre të tjerë gjobiten me 7 mijë euro

Pacolli: Shtatë gurthyesve u janë ndaluar punimet, ndërsa tre të tjerë gjobiten me 7 mijë euro

Inspektorati i Mjedisit ka ndërmarrë masa ndaj operatorëve të gurthyesve që kanë vepruar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet ligjore.

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se punimet janë ndaluar në shtatë gurthyes, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro, për shkeljet e evidentuara gjatë inspektimeve.

Kontrollet janë zhvilluar në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë, ku janë verifikuar respektimi i kushteve ligjore dhe standardeve mjedisore.

Procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në muajin mars. Operatorëve u ishte dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë e veprimtarisë së tyre me legjislacionin dhe kriteret mjedisore.

Sipas Pacollit, rreth 200 operatorë të gurthyesve kanë dorëzuar dokumentacionin, i cili është shqyrtuar gjatë muajit prill nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria. Nga verifikimet është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj.

Vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.

Inspektorati i Mjedisit ka paralajmëruar se kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe më tej dhe se ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin apo nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masat përkatëse ndëshkuese.

“Mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit është e pakompromis. Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.

/Motilokal.com