Let’s Do It Kosova alarmon për gjendjen në pikën kufitare Kosovë–Shqipëri

Let’s Do It Kosova alarmon për gjendjen në pikën kufitare Kosovë–Shqipëri

Organizata Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën ka reaguar lidhur me gjendjen e hapësirave në hyrje të Kosovës, në pikën kufitare Kosovë–Shqipëri në Morinë.

Përmes një reagimi, organizata ka publikuar pamje nga kjo zonë, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e papastër të një prej hyrjeve kryesore të vendit, ku çdo ditë kalojnë mijëra qytetarë, mërgimtarë dhe vizitorë.

“Një prej hyrjeve kryesore në vendin tonë, ku çdo ditë kalojnë mijëra qytetarë, mërgimtarë dhe vizitorë, nuk guxon të duket kështu”, thuhet në reagim.

Sipas organizatës, gjendje të ngjashme janë evidentuar edhe në pika të tjera kufitare të Kosovës.

Let’s Do It Kosova u ka bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për pastrimin e këtyre hapësirave dhe të sigurojnë mirëmbajtjen e tyre në vazhdimësi.

Organizata ka paralajmëruar gjithashtu se do të kërkojë sqarime se kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave dhe nëse janë përmbushur obligimet ligjore dhe kontraktuale.

Në rast se institucionet nuk ndërmarrin veprime, Let’s Do It Kosova ka bërë të ditur se do të organizojë një aksion vullnetar për pastrimin e këtyre hapësirave.

Megjithatë, organizata thekson se një aksion i vetëm pastrimi nuk është zgjidhje afatgjatë dhe nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë institucionale.

“Pikat kufitare janë kontakti i parë i shumë njerëzve me Kosovën. Kjo nuk duhet të jetë mirëseardhja jonë”, përfundon reagimi.


/Motilokal.com