Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët dhe zonat pranë institucioneve arsimore.
Policia thekson se me rikthimin e nxënësve në shkolla rritet edhe lëvizja e këmbësorëve, ndaj drejtuesit e automjeteve duhet të jenë veçanërisht të vëmendshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.
Në veçanti, kërkohet respektimi i kufizimit të shpejtësisë në afërsi të shkollave, pasi shpejtësia e ulët u jep drejtuesve më shumë kohë për të reaguar në rast të lëvizjeve të papritura të fëmijëve.
Policia rikujton se fëmijët mund të jenë të paparashikueshëm në lëvizjet e tyre dhe mund të kalojnë rrugën pa e vlerësuar siç duhet rrezikun. Për këtë arsye, drejtuesit e automjeteve duhet të ulin shpejtësinë, të jenë të gatshëm për ndalje dhe t’u japin përparësi këmbësorëve në vendkalime.
Siguria e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët. Me më shumë kujdes dhe respektim të rregullave të trafikut, mund të kontribuojmë që fillimi i vitit shkollor të jetë më i sigurt për të gjithë.
/Motilokal.com
