Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, me fokus të veçantë në subjektet afariste që operojnë pranë institucioneve arsimore.
Me fillimin e vitit të ri shkollor, ekipet e IQMT-së kanë zhvilluar sot 18 inspektime në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Fushë Kosovën, Rahovecin, Istogun, Shtimen dhe Podujevën.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm nga shitja të cigareve elektronike në dyqanet që ndodhen në afërsi të shkollave.
Si rezultat i mosrespektimit të dispozitave ligjore dhe urdhrave të inspektorëve, janë shqiptuar tri gjoba, ndërsa në dy raste janë kryer edhe sekuestrime.
IQMT ka njoftuar se aksionet e inspektimit do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim në të gjitha regjionet e Kosovës, me synim forcimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e të miturve.
Në kuadër të këtyre veprimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë çdo rast të shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht pranë institucioneve arsimore.
Raportimet dhe ankesat mund të paraqiten në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes platformës Viber, në numrin +383 46 311 000.
/Motilokal.com
