Zjarret në Shqipëri, 39 vatra në 24 orët e fundit/ Ministria e Mbrojtjes: Vijon ndërhyrja në terren dhe nga ajri

Zjarret në Shqipëri, 39 vatra në 24 orët e fundit/ Ministria e Mbrojtjes: Vijon ndërhyrja në terren dhe nga ajri

39 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë territorin e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, katër automjete zjarrfikëse të FA-së, helikopterët e Forcës Ajrore, të cilët kanë kryer 6 operacione, si dhe një avion Air Tractor.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, dy helikopterëve dhe një avioni Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë evidentuar në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Dajt vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara. Në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër, aktive mbeten vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, por pa rrezik për zonat e banuara. Ndërsa në Lezhë, vijojnë aktive vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjithashtu është shmangur rreziku për banesat.

Situata më e vështirë në Fier dhe Himarë

Situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar në Fier dhe Himarë.

Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, është shmangur rreziku për banesat. Operacioni vijon për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Ndërkohë, në lagjen “1 Maji” në Himarë, janë angazhuar rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura. Si pasojë e zjarrit, 36 persona janë evakuuar dhe 6 banesa janë djegur, tre prej të cilave kanë qenë të banuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, intensiteti i zjarrit në Himarë ka rënë dhe rreziku për banesat është shmangur. Forcat në terren vijojnë punën për shuarjen e plotë të vatrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

/Motilokal.com