Plazhi shqiptar që po mahnit turistët, Ksamili shpallet destinacioni bregdetar më i mirë në Evropë

Plazhi shqiptar që po mahnit turistët, Ksamili shpallet destinacioni bregdetar më i mirë në Evropë

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e mediave dhe ekspertëve ndërkombëtarë të turizmit, duke u renditur mes destinacioneve bregdetare më të rekomanduara në Evropë.

Kështu shkruan Trevor Kucheran në një artikull të publikuar nga media amerikane e udhëtimeve “Travel Off Path”, e cila ka përfshirë Ksamilin në krye të listës së pesë destinacioneve bregdetare më të mira në Evropë.

Ksamil, Shqipëri

Sipas autorit, ata që dëshirojnë të shijojnë ujëra të kthjellëta dhe peizazhe që të kujtojnë Maldivet, por pa shpenzuar mijëra dollarë për një natë, duhet ta kenë Shqipërinë në listën e destinacioneve për t’u vizituar.

Ujërat e Ksamilit përshkruhen si një nuancë e jashtëzakonshme e kaltër, të rrethuara nga plazhe me gurë të bardhë dhe një peizazh mbresëlënës bregdetar. Autori e cilëson zonën si një nga destinacionet më tërheqëse bregdetare në Evropë.

Në një kohë kur shumë prej destinacioneve të njohura të Mesdheut po përballen me mbipopullim të madh turistik, Riviera Shqiptare paraqitet si një alternativë më e qetë dhe më e përballueshme për udhëtarët evropianë.

Sipas artikullit, vizitorët mund të shijojnë ushqime të freskëta deti pranë plazhit për më pak se 15 dollarë, ndërsa akomodimi buzë detit mund të kushtojë dukshëm më pak krahasuar me destinacione të ngjashme në Greqi.

Megjithatë, artikulli vë në dukje se muajt e pikut të sezonit veror sjellin turma të mëdha turistësh dhe çmime më të larta.

Për turistët që udhëtojnë me traget nga Korfuzi drejt Sarandës, këshillohet të llogariten edhe vonesat e mundshme në kontrollet kufitare, si dhe diferenca prej një ore mes zonave kohore të Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas “Travel Off Path”, shtatori dhe tetori janë ndër periudhat më të mira për të vizituar Ksamilin, pasi temperaturat mbeten të favorshme, ndërsa numri i turistëve është më i ulët krahasuar me muajt e pikut të verës.

Pesë destinacionet bregdetare më të mira në Evropë

Sipas renditjes së “Travel Off Path”:

  1. Ksamil, Shqipëri
  2. Ischia, Itali – Plazhi i Marontit
  3. Plazhi i Adragas, Portugali
  4. Gjiri i Ramlas, Gozo – Maltë
  5. Plazhi i Sarakinikos, Milos – Greqi

/Motilokal.com