Zjarret në Shqipëri, 14 vatra ende aktive! Ja zonat ku situata paraqitet më problematike

Zjarret në Shqipëri, 14 vatra ende aktive! Ja zonat ku situata paraqitet më problematike

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë regjistruar gjithsej 44 vatra zjarri.

Sipas të dhënave zyrtare, 14 vatra vijojnë të jenë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë shuar.

Situata më problematike paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku zjarret vijojnë në Bardhaj–Myselim, Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit.

Në zonën e Bardhaj–Myselimit, ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Në operacion janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë.

Vatra aktive raportohen edhe në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit në qarkun e Tiranës.

Në Dibër, vijojnë aktive zjarret në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë.

Ndërkohë, në Lezhë mbeten aktive vatrat në Gallatë, si dhe përgjatë aksit Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Sipas autoriteteve, nuk raportohen banesa në rrezik në këto zona.

Në Berat, vijon zjarri në Vokopolë, ndërsa në qarqet e tjera disa vatra janë shuar ose janë vendosur nën mbikëqyrje, përfshirë zonat në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Në operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të zjarreve janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse.

Në terren janë angazhuar edhe 329 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete të ndryshme, ndërsa nga ajri janë zhvilluar 6 operacione me helikopterë, është përdorur një avion Air Tractor dhe një dron.

Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në zonat ku zjarret mbeten aktive.

/Motilokal.com