Pse na ndodhin “fatkeqësitë”?

Pse na ndodhin “fatkeqësitë”?

Nga Abdulla Diku, ambientalist

Në një zyrë të vogël shteti, dikur punonte një agronom.

E njihte tokën, bimët, stinët, sëmundjet e bimëve dhe ujin. E njihte fshatin më mirë se hartat dhe projektet e shumta.

Kur fermerët kishin ndonjë problem, shkonin te ai. Kur duhej planifikuar një sezon, ai ishte aty.

Një ditë, u largua. Vendin e tij e mori dikush që nuk kishte as formimin, as përvojën dhe as lidhjen me tokën. Kishte vetëm një emër në një listë pagesash.

Në fshat, prodhimi filloi të bjerë. Sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve u përhapën më shpejt. Uji nuk u menaxhua siç duhej. Askush nuk dinte të përgjigjej me saktësi pse po ndodhte kjo.

U harrua shija e bukës dhe e prodhimeve të fshatit. Në treg u shtua importi i produkteve.

Vetë fshati u boshatis…

Në një qytet tjetër, në një zyrë pyjesh, dikur punonin inxhinierë që njihnin terrenin, erën, rrugët e zjarrit, vendet ku rreziku ishte më i madh dhe ku flakët mund të bënin më shumë dëm.

Edhe ata u zëvendësuan. Dosjet mbetën mbi tavolina, hartat u mbuluan nga pluhuri.

Kur erdhi vera, zjarri gjeti terren të lirë. Askush nuk e pa se po vinte, askush nuk e ndaloi në kohë. Askush nuk dinte si ta fikte zjarrin.

Pylli u dogj.

U justifikua si fatkeqësi natyrore.

Por ajo nuk ishte thjesht një fatkeqësi natyrore; ishte edhe pasojë e mungesës së profesionistëve.

Në një tjetër zyrë, inxhinierët hidroteknikë merreshin me ujërat. Dikur aty punonin njerëz që dinin se ku fryhej lumi, cilat ishin zonat që përmbyteshin, ku mund të çahej diga, ku bllokoheshin kanalet, si dhe ku funksiononte hidrovori.

Edhe ata u hoqën nga puna. Projektet mbetën, por mendja që i lexonte u zhduk.

Kur ra shiu, uji bëri atë që kishte bërë gjithmonë: kërkoi rrugën e vet. Vetëm se këtë herë, rruga e vet kalonte nëpër shtëpi, ara dhe rrugë…

Dhe kështu, nga zyra në zyrë, nga fshati në qytet, shteti filloi të humbiste atë që nuk shihet në lajme: aftësinë për të menduar profesionalisht.

Njerëzit e dijes u zëvendësuan nga njerëz të përkohshëm. Institucionet mbetën në këmbë, por u zbrazën nga brenda. U gërryen nga mungesa e profesionistëve.

Rezultati sot shihet në çdo sezon:

  • më pak prodhime;
  • më shumë zjarre;
  • më shumë përmbytje;
  • më shumë varfëri;
  • më shumë braktisje të vendit;
  • dhe, mbi të gjitha, më shumë pashpresë…

Jo sepse vendi nuk ka pasuri, por sepse ka humbur kujtesën e vet teknike dhe profesionale.

Ky është çmimi i një shteti që e trajton administratën si karburant elektoral dhe jo si trupë profesionale.

Dhe këtë çmim e paguajmë çdo vit, të gjithë.

Diku me djegie pyjesh, diku me përmbytje e diku tjetër me falimentimin e fermerëve…

Ndaj, s’ka asgjë për t’u çuditur më, nëse fatkeqësi të tilla po shohim dhe do të shohim gjithnjë e më shumë.

Mos prisni për më mirë.

Jemi bosh, në përmbajtje dhe në formë…