Nxehtësia ekstreme po kërcënon sistemet agroushqimore

Nxehtësia ekstreme po kërcënon sistemet agroushqimore

Ngjarjet ekstreme të nxehtësisë po shndërrohen në një kërcënim gjithnjë e më të madh për jetesën, shëndetin dhe produktivitetin e punës së mbi një miliard njerëzve në mbarë botën, ndërsa në vijën e parë të këtij rreziku ndodhen punëtorët e bujqësisë dhe sistemet agroushqimore.

Sipas një raporti të ri të përbashkët të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), frekuenca, intensiteti dhe kohëzgjatja e episodeve të nxehtësisë ekstreme janë rritur ndjeshëm gjatë pesë dekadave të fundit.

Raporti “Nxehtësia ekstreme dhe bujqësia” paralajmëron se rreziqet për bujqësinë, ekosistemet dhe sigurinë ushqimore pritet të rriten edhe më tej në të ardhmen.

“Nxehtësia ekstreme është një shumëzues i madh rreziku”, duke ushtruar presion në rritje mbi të korrat, bagëtinë, peshkimin dhe pyjet, si dhe mbi komunitetet dhe ekonomitë që varen prej tyre, thekson drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, QU Dongyu.

Edhe WMO e konsideron nxehtësinë ekstreme një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm për mënyrën se si funksionojnë sistemet agroushqimore. Sipas organizatës, paralajmërimet e hershme dhe shërbimet klimatike, përfshirë parashikimet sezonale, janë thelbësore për përgatitjen dhe përshtatjen ndaj kushteve të reja klimatike.

Rrezik për të korrat, bagëtinë dhe peshqit

Temperaturat e larta nuk ndikojnë vetëm te njerëzit, por prekin drejtpërdrejt edhe prodhimin bujqësor dhe ekosistemet.

Për shumë prej specieve të zakonshme të bagëtive, stresi nga nxehtësia nis në temperatura mbi 25°C, ndërsa pulat dhe derrat janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

Edhe peshqit përballen me rreziqe serioze. Temperaturat e larta të ujit mund të ulin oksigjenin e tretur dhe të shkaktojnë stres të rëndë fiziologjik.

Ndërkohë, për shumë prej kulturave kryesore bujqësore, rënie të rendimenteve mund të shfaqen kur temperaturat kalojnë 30°C, ndërsa disa kultura, si patatet dhe elbi, janë të ndjeshme edhe në temperatura më të ulëta.

Nxehtësia ekstreme lidhet gjithashtu me rritjen e rrezikut për zjarre në pyje, thatësira, mungesë uji, përhapje të dëmtuesve dhe sëmundjeve, duke shtuar presionin mbi prodhimin ushqimor.

Ditë gjithnjë e më të vështira për punëtorët

Një tjetër shqetësim i madh është ndikimi i temperaturave ekstreme te punëtorët e bujqësisë.

Sipas raportit, në pjesë të mëdha të Azisë Jugore, Afrikës tropikale Sub-Sahariane dhe në disa zona të Amerikës Qendrore dhe Jugore, numri i ditëve gjatë të cilave temperaturat mund ta bëjnë punën jashtëzakonisht të vështirë ose të pasigurt mund të arrijë deri në 250 ditë në vit.

Kjo paraqet një kërcënim jo vetëm për shëndetin e punëtorëve, por edhe për produktivitetin dhe sigurinë ushqimore.

Paralajmërimet e hershme si mjet mbrojtës

Raporti rekomandon forcimin e masave të përshtatjes ndaj klimës, përfshirë përdorimin e varieteteve dhe racave më rezistente ndaj temperaturave të larta, ndryshimin e periudhave të mbjelljes dhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit të tokës dhe ujit.

Sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe parashikimet sezonale mund t'u japin fermerëve kohën e nevojshme për të marrë masa përpara episodeve të nxehtësisë ekstreme.

Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e mbështetjes financiare, sigurimeve bujqësore dhe skemave të mbrojtjes sociale për komunitetet që goditen nga ekstremet klimatike.

Raporti nënvizon se mbrojtja e bujqësisë dhe sigurisë globale ushqimore do të kërkojë investime në përshtatje, bashkëpunim ndërkombëtar dhe masa për reduktimin e emetimeve, në mënyrë që rreziqet klimatike të mos përshkallëzohen më tej.

/Motilokal.com