Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Parkut të Erës në fshatin Zatriq të Komunës së Rahovecit, një projekt i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në vend.
Gjatë ceremonisë, Kurti tha se Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e energjisë së pastër, ndërsa theksoi se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë përmes investimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme.
Parku i Erës në Zatriq përfaqëson një investim prej rreth 106 milionë eurosh dhe pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji të pastër në vit. Sipas të dhënave të prezantuara, kapaciteti i tij do të mundësojë mbulimin e nevojave vjetore për energji të rreth 45 mijë familjeve.
“Ky park është veçanërisht i rëndësishëm edhe për sigurinë tonë energjetike. Çdo megavat orë i energjisë së pastër që prodhohet këtu është një hap drejt një Kosove më pak të varur nga burimet e kufizuara dhe më të ekspozuara ndaj krizave të jashtme të energjisë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë falënderoi partnerët ndërkombëtarë financiarë për mbështetjen, si dhe institucionet e Kosovës dhe ekipet profesionale që kontribuuan në realizimin e projektit.
Sipas Kurtit, Parku i Erës në Zatriq përbën një tjetër hap drejt krijimit të një sistemi energjetik më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për Kosovën.
/Motilokal.com
