Rama kërkon votën e asamblistëve për themelimin e ndërmarrjes së re “Pastrimi”

Rama kërkon votën e asamblistëve për themelimin e ndërmarrjes së re “Pastrimi”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje asamblistëve që në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kryeqytetit të votojnë themelimin e ndërmarrjes së re komunale “Pastrimi”, duke e cilësuar këtë si zgjidhje përfundimtare për problemin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media, Rama tha se gjendja me mbeturinat është ndër problemet më serioze me të cilat po përballet Prishtina dhe theksoi se qytetarët nuk duhet të mbeten peng i përplasjeve politike.

“Çështja e mbeturinave nuk është çështje politike, edhe pse, për fat të keq, është përdorur vazhdimisht nga oponentët politikë. Ne jemi të vendosur që qytetarët të mos mbeten peng”, deklaroi Rama.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar takime me menaxhmentin dhe punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, si dhe me kryetarë të komunave të tjera, me qëllim të diskutimit të mundësive për zgjidhjen e situatës.

Sipas Ramës, Prishtina aktualisht bart barrën kryesore në kuadër të një ndërmarrjeje rajonale ku bëjnë pjesë gjashtë komuna, ndërsa rritja e qytetit dhe shtimi i nevojave kanë bërë që sistemi aktual të mos jetë në gjendje të përballojë kërkesat.

Rama foli edhe për financimin e mundshëm nga Qeveria Gjermane, duke pretenduar se Prishtina dhe ndërmarrja “Pastrimi” kanë humbur 74.1 milionë euro për shkak të mungesës së një nënshkrimi nga Ministria e Financave.

Përballë kësaj situate, si dhe gjendjes së rënduar me mbeturinat, Kryeqyteti ka proceduar me propozimin për themelimin e ndërmarrjes së re komunale “Pastrimi”, një model që, sipas Ramës, tashmë është ndjekur edhe nga Fushë Kosova dhe Obiliqi.

Kryetari i Prishtinës u bëri thirrje të gjithë asamblistëve, veçanërisht atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, që ta mbështesin propozimin në seancën e jashtëzakonshme.

“Nesër kemi mundësinë jetike që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim çështjen e mbeturinave në Kryeqytet. Votojeni themelimin e ndërmarrjes së re komunale ‘Pastrimi’”, tha Rama.

Ai theksoi se problemi i mbeturinave prek drejtpërdrejt lagjet dhe familjet e Prishtinës, duke u bërë thirrje asamblistëve që, sipas tij, të vendosin në interes të qytetarëve.

“Propozimi është gati, zgjidhja është gati. Nesër secili asamblist duhet të votojë pro dhe ta zgjidhim njëherë e mirë çështjen e mbeturinave në Kryeqytet”, përfundoi Rama.

/Motilokal.com