Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta, moti në Kosovë pritet të pësojë një ndryshim të ndjeshëm gjatë natës.
Një masë ajrore më e freskët, e shoqëruar me kalimin e një fronti të ftohtë, do të sjellë rënie të temperaturave, shtim të vranësirave dhe erëra nga veriu e verilindja.
Ndryshimi i kushteve atmosferike mund të shoqërohet edhe me zhvillim të vranësirave konvektive, duke krijuar mundësi për reshje lokale shiu, bubullima dhe vetëtima.
Reshjet nuk pritet të jenë të njëtrajtshme në të gjithë territorin. Disa zona mund të përfshihen nga shira më të dobët ose të mbeten pa reshje, ndërsa në zona të tjera mund të zhvillohen rrebeshe të shkurtra dhe lokale.
Për shkak të natyrës lokale të këtyre zhvillimeve, intensiteti dhe shtrirja e tyre mund të ndryshojnë ndjeshëm nga një rajon në tjetrin.
Temperaturat do të shënojnë luhatje, me minimale rreth 13°C në orët e para të ditës dhe maksimale deri në 21°C gjatë pasdites.
/Motilokal.com
