Pamje të frikshme nga goditja e tornados në Itali

Pamje të frikshme nga goditja e tornados në Itali

Një valë e fuqishme moti të keq ka përfshirë pjesë të Italisë, duke shkaktuar dy viktima, përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të shumta në disa rajone të vendit.

Në Latisana, në rajonin e Friuli-Venezia Giulia, një grua rreth 83-vjeçare humbi jetën pasi makina e saj mbeti e bllokuar në ujërat e një kalimi të përmbytur. Një pjesëtar i karabinierëve hyri në ujë dhe arriti ta nxirrte nga automjeti, por ajo nuk mundi të shpëtonte.


Viktima e dytë ishte një grua rreth 80-vjeçare në Sinalunga, pranë Sienës, ku një tornado goditi zonën. Teksa po përpiqej të mbyllte një dritare, era e fortë theu xhamin dhe një copë e tij i shkaktoi një plagë fatale në këmbë.

Stuhitë kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe në zona të tjera. Në Romë, pemët e rrëzuara dëmtuan automjete, ndërsa reshjet intensive shkaktuan përmbytje. Në veri të vendit janë raportuar ndërprerje dhe vonesa në transportin hekurudhor, ndërsa në disa zona ekipet e emergjencave kanë kryer dhjetëra ndërhyrje.

Në Toskanë, gjatë vetëm 12 orëve u regjistruan më shumë se 63 mijë shkarkime rrufesh, duke dëshmuar intensitetin e jashtëzakonshëm të stuhive. Në Cataeggio, pranë Sondrios, rreth 45 persona u evakuuan për shkak të një rrëshqitjeje dheu.

/Motilokal.com