“Euronews”: Shqipëria pritet të jetë ndër destinacionet më të kërkuara në 2027

“Euronews”: Shqipëria pritet të jetë ndër destinacionet më të kërkuara në 2027

Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike më të kërkuara në vitin 2027, e favorizuar nga plazhet, natyra, pasuria kulturore dhe çmimet konkurruese. Vendi është përfshirë ndër destinacionet që pritet të jenë në fokusin e turistëve gjatë vitit të ardhshëm, raportoi “Euronews”.

Nëse tashmë po planifikoni udhëtimet për vitin 2027, të dhënat e reja japin një pasqyrë interesante për vendet që pritet të fitojnë më shumë vëmendje nga udhëtarët.

Përveç bukurive natyrore dhe ofertës turistike, në zgjedhjet e turistëve pritet të ndikojnë edhe disa ngjarje të mëdha ndërkombëtare. Kalendari sportiv i vitit 2027 do të jetë veçanërisht i ngjeshur, me aktivitete që mund të nxisin udhëtimet drejt vendeve pritëse.

Ndër ngjarjet kryesore janë “Ryder Cup” në Irlandë, Kupa e Botës FIFA për femra në Brazil dhe Kupa e Botës në “Rugby” për meshkuj në Australi. Ndërkohë, një tjetër ngjarje që pritet të tërheqë vizitorë është eklipsi diellor, i cili do të jetë i dukshëm në pjesë të Afrikës së Veriut dhe Spanjës.

Në këtë panoramë të tendencave turistike për 2027, Shqipëria veçohet për kombinimin e plazheve tërheqëse dhe raportit të favorshëm mes çmimit dhe cilësisë.

Sipas “Advantage Travel Partnership”, organizatë britanike që përfaqëson biznese të pavarura të udhëtimit, Shqipëria është ndër vendet që rekomandohen për t’u vizituar gjatë vitit 2027. Krahas saj, në listën e destinacioneve me potencial të lartë përfshihen edhe Hong Kongu, Egjipti dhe Vietnami.

Interesi në rritje për Shqipërinë vjen në një periudhë kur vendi po konsolidon gjithnjë e më shumë pozitën e tij në tregun ndërkombëtar të turizmit. Udhëtarët po kërkojnë gjithnjë e më shumë përvoja të ndryshme, eksplorim dhe destinacione që ofrojnë më shumë se vetëm pushime tradicionale në plazh.

Në këtë drejtim, Shqipëria ka një ofertë të larmishme: nga bregdeti i Adriatikut dhe Jonit, te qytetet historike, zonat malore dhe trashëgimia kulturore.

Edhe kompania britanike “Thomas Cook” e ka veçuar më herët Shqipërinë si një treg turistik në rritje. Berati, Gjirokastra dhe Butrinti, së bashku me Alpet Shqiptare, Tiranën, Durrësin, Ksamilin dhe Rivierën Shqiptare, ofrojnë mundësi të ndryshme për turistët që kërkojnë det, histori, natyrë apo eksperienca kulturore.

Një nga avantazhet kryesore mbetet edhe kostoja. Tirana është renditur së fundmi ndër destinacionet evropiane me raportin më të favorshëm të çmimit, me një shpenzim mesatar ditor prej rreth 59 eurosh për akomodim, ushqim, transport dhe aktivitete, sipas “The Irish Sun”.

Rritja e interesit duket edhe në kërkesën për udhëtime. Sipas të dhënave të raportuara nga “Thomas Cook”, rezervimet për Shqipërinë janë rritur me 293 për qind krahasuar me një vit më parë, duke e pozicionuar vendin ndër tregjet evropiane me rritjen më të shpejtë të kërkesës, raportoi “The Sun”.

Me një kombinim të bregdetit, natyrës, trashëgimisë historike dhe kostove relativisht të përballueshme, Shqipëria po e forcon pozitën e saj në hartën turistike të Evropës dhe 2027 mund të jetë një tjetër vit i rëndësishëm për turizmin shqiptar.

/Motilokal.com