Nëntoka saudite zbulon pasuri të mëdha në Medinë

Nëntoka saudite zbulon pasuri të mëdha në Medinë

Arabia Saudite ka njoftuar për një zbulim të rëndësishëm të burimeve minerare, me rreth 110 milionë tonë xehe të pasura me uranium, elementë të rëndë dhe minerale të rralla në rajonin e Medinës, në kuadër të projektit Jabal Sayid.

Vlerësimi u bë publik nga ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, gjatë një konference të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në Vjenë.

Autoritetet saudite sqaruan se shifra prej 110 milionë tonësh i referohet sasisë së përgjithshme të xehes dhe jo uraniumit të pastër. Megjithatë, përbërja e saj konsiderohet me interes për shkak të pranisë së uraniumit dhe përqendrimeve të elementëve të rrallë e të rëndë.

Zbulimi është pjesë e strategjisë së Arabisë Saudite për të zgjeruar sektorët e ekonomisë përtej naftës. Mbretëria synon të zhvillojë burimet e saj bërthamore, përfshirë përpunimin dhe pasurimin e uraniumit, prodhimin e karburantit bërthamor për reaktorët e saj dhe, në të ardhmen, eksportimin e tij.

Riadi ka thelluar ndërkohë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë bërthamore civile. Një marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës bërthamore në Arabinë Saudite dhe bashkëpunimit për teknologjitë përkatëse.

Zbulimi i ri vjen pas një sërë njoftimesh për pasuritë minerare të vendit. Në fund të vitit të kaluar, Arabia Saudite bëri të ditur edhe zbulimin e rezervave të konsiderueshme të arit në një zonë rreth 100 kilometra në jug të minierës ekzistuese Mansourah Massarah, në rajonin e Mekës.

Këto zhvillime janë pjesë e përpjekjeve të Arabisë Saudite për të shfrytëzuar më intensivisht pasuritë minerare dhe për të krijuar burime të reja të ardhurash, në kuadër të planit për diversifikimin e ekonomisë së vendit.

/motilokal.com