Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të koncentratit për lopë qumështore “SELECT MILK GR", pas konstatimit të një niveli mbi kufirin e lejuar të B1 (AFB1).
Produkti është prodhuar nga kompania DE HEUS D.O.O. në Serbi dhe është importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K., me seli në Rahovec.
Sipas AUV-së, masa e tërheqjes përfshin dy lote të produktit, me numrat 0385010426007 dhe 0385020426001. Për sasitë e mbetura është urdhëruar izolimi, ndërsa po zhvillohet edhe gjurmimi i produktit për të përcaktuar operatorët dhe fermat ku ai është shpërndarë ose përdorur.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve ekonomikë që kanë në posedim këto lote që të mos e përdorin dhe të mos e vendosin në qarkullim. Produkti duhet të mbahet i veçuar deri në përfundimin e procedurave të tërheqjes.
Përveç kësaj mase, AUV ka vendosur një masë të përkohshme parandaluese për një periudhë prej 30 ditësh. Gjatë kësaj kohe ndalohet importi nga Serbia i koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara nën kodin tarifor 2309909600.
Agjencia ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe do të kryejë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut, duke u bazuar në rezultatet laboratorike dhe kontrollet zyrtare, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
Në të njëjtën kohë, janë shtuar kontrollet për praninë e Aflatoksinës B1 në misër dhe produktet me bazë misri që përdoren si ushqim për kafshë, veçanërisht ato të destinuara për lopët qumështore.
Aflatoksina B1 është një toksinë që mund të zhvillohet në misër dhe në ushqimet për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), aflatoksinat përbëjnë shqetësim për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, me ndikim të veçantë në mëlçi.
Shqetësimi nuk lidhet vetëm me shëndetin e kafshëve. Kur lopët ushqehen me produkte të kontaminuara me AFB1, një pjesë e kësaj substance mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht.
Për këtë arsye, kontrolli i ushqimit të kafshëve konsiderohet një nga hallkat kryesore për të parandaluar kalimin e aflatoksinave në zinxhirin ushqimor dhe për të mbrojtur konsumatorët.
AUV ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë në pikat kufitare dhe brenda territorit të Kosovës, përfshirë marrjen e mostrave, analizat laboratorike dhe gjurmimin e produkteve.
Sipas agjencisë, masat synojnë që rreziku të identifikohet dhe të ndërpritet sa më herët, duke mbrojtur shëndetin e kafshëve, sigurinë e produkteve me origjinë shtazore dhe shëndetin e konsumatorëve.
/Motilokal.com
