Pak veshje janë kaq të përhapura në mbarë botën sa një palë xhinse. Që nga viti 1873, kur në pantallonat prej denimi të punëtorëve u vendosën ribatina prej bakri për të përforcuar xhepat, një dizajn i patentuar nga biznesmeni Levi Strauss, xhinset kanë kapërcyer kufijtë, klasat shoqërore dhe brezat. Nga fermat te festivalet dhe pasarelat e modës së lartë, xhinset janë kudo.
Pavarësisht pamjes së tyre shpesh të thjeshtë, një palë xhinse është rezultat i një zinxhiri global dhe kompleks prodhimi. Pas çdo pale fshihet një rrjet i gjerë që përfshin shfrytëzimin e burimeve natyrore, prodhimin, përpunimin dhe transportin, pa përmendur projektimin dhe marketingun e produktit.
“Kompleksiteti i asaj që nevojitet për të prodhuar një palë xhinse është marramendës”, tha supermodelja dhe ambasadorja e vullnetit të mirë e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Amber Valletta, gjatë një vizite në një fabrikë xhinsesh në Tunizi.
“Qindra duar marrin pjesë në prodhimin e një pale xhinse. Është e pabesueshme”, shtoi ajo.
Por a mundet një sistem kaq i madh dhe kompleks të funksionojë brenda kufijve që lejon mjedisi?
Kjo është pyetja që Valletta u përpoq t’i përgjigjej në një dokumentar të ri të prodhuar nga UNEP. Ajo vizitoi fabrikat tuniziane të xhinseve për të parë nga afër praktikat e prodhimit të qëndrueshëm dhe për të biseduar me njerëzit që po udhëheqin përpjekjet për ta bërë industrinë e xhinseve më miqësore me mjedisin.
Një industri me ndikim të madh në mjedis
Industria e modës dhe tekstilit është ndër industritë më ndotëse në botë. Ajo kontribuon në ndryshimet klimatike dhe konsumon sasi të mëdha të burimeve natyrore.
Denimi është ndër produktet më intensive për sa i përket përdorimit të burimeve. Sipas markës Levi’s, prodhimi i një pale xhinse mund të kërkojë rreth 3,800 litra ujë.
Për më tepër, shumë lloje xhinsesh kërkojnë sasi të konsiderueshme energjie dhe kimikatesh për të arritur ngjyra, nuanca apo efekte të veçanta.
Tunizia është ndër furnizuesit kryesorë të veshjeve të gatshme prej denimi për Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, vendi zotëronte rreth 8 për qind të këtij tregu.
Afërsia me Evropën i mundëson industrisë tuniziane të prodhojë dhe dërgojë veshjet në kohë të shkurtër, duke u lejuar markave të reagojnë shpejt ndaj kërkesës së tregut dhe tendencave të modës.
Prodhuesit tunizianë kontrollohen rregullisht për respektimin e rregullave dhe standardeve të BE-së, të cilat gjithnjë e më shumë fokusohen te gjurmueshmëria, transparenca, qëndrueshmëria dhe ndikimi mjedisor.
“Industria tani është nën një presion të madh. Markat, klientët, konsumatorët dhe madje edhe qeveritë po kërkojnë produkte të qëndrueshme me ndikim sa më të ulët në mjedis”, tha Bilel Ben Miled, menaxher i qëndrueshmërisë në Gonser Group, pranë Tunisit.
Më pak ujë dhe kimikate
Ky presion krijon një lloj zinxhiri: qeveritë vendosin kërkesa mjedisore për markat, ndërsa markat u kërkojnë furnizuesve të tyre t’i përmbushin këto standarde. Në të kundërt, ato mund të zgjedhin prodhues të tjerë që i plotësojnë kërkesat.
Në fabrikën Gonser Denim Revolution, qëndrueshmëria është përmirësuar gradualisht përmes një sërë ndryshimesh.
Për shembull, kimikate si permanganati i kaliumit dhe hipokloriti, të përdorura prej kohësh për krijimin e efekteve të caktuara në denim, po zëvendësohen me alternativa më të sigurta, të cilat mund të japin rezultate të ngjashme me ndikim më të ulët në mjedis.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ujin. Uji i përdorur gjatë larjes së xhinseve në faza të ndryshme të prodhimit trajtohet dhe riciklohet.
Sipas Ben Miled, këto masa dhe përmirësime të tjera teknologjike mund të ulin me 75 për qind sasinë e ujit të nevojshëm për prodhimin e një pale xhinseje.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Tunizinë, një vend që përballet shpesh me periudha të zgjatura thatësire.
Ndërkohë, një tjetër prodhues, DEMCO, ka filluar të përdorë makineri që lajnë xhinset me gaz ozoni ose me sasi minimale uji të ozonizuar për zbardhjen apo zbehjen e denimit.
Sipas themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Johnny De Meirsman, kjo teknologji mund të reduktojë përdorimin e ujit me rreth 90 për qind.
Sfida, sipas tij, është të gjenden procese që ruajnë të njëjtën cilësi të produktit, “pa krijuar probleme për mjedisin apo për personin që do ta veshë atë”.
Teknologjia që po ndryshon mënyrën e prodhimit
Në këtë proces përfshihet edhe programi InTex i UNEP-it. I financuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e Danimarkës, programi mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendet prodhuese të tekstileve, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë dhe ekonomisë qarkulluese.
Programi ndihmon fabrikat të mbledhin dhe analizojnë të dhënat e prodhimit për të kuptuar se ku krijohet ndikimi më i madh në mjedis dhe cilat ndërhyrje mund të sjellin përmirësimet më të matshme.
Për Ben Miled, vlerësimet e ciklit jetësor të mbështetura nga InTex e kanë kthyer qëndrueshmërinë nga një objektiv i përgjithshëm në një plan konkret veprimi.
“Me këtë, ne e dimë se ku mund të përmirësojmë ndikimin mjedisor dhe ku mund ta reduktojmë gjurmën tonë”, tha ai.
Ndërsa Gonser Denim Revolution dhe DEMCO e kanë përfshirë qëndrueshmërinë në filozofinë e tyre që nga fillimi, për shumë fabrika kalimi drejt një prodhimi më të pastër po nxitet kryesisht nga politikat dhe rregulloret e reja.
Pasaporta dixhitale për çdo veshje
Bashkimi Evropian po avancon rregulla të reja që pritet të hyjnë në fuqi gjatë viteve 2027 dhe 2028. Ato përfshijnë kërkesa për dizajn ekologjik dhe sisteme dixhitale të informacionit për produktet, të njohura si “pasaportat digjitale të produktit”.
Këto pasaporta do të ofrojnë informacion për origjinën e veshjes, materialet që përmban, mënyrën e prodhimit dhe mundësinë e riciklimit të saj.
Qëllimi është rritja e transparencës dhe mundësimi i informacionit më të qartë për konsumatorët mbi produktet që blejnë.
“Pasaporta dixhitale e produktit po na shtyn të dokumentojmë gjithçka rreth një veshjeje, që nga fibra dhe përbërja, deri te larja, gjurmueshmëria e riciklimit dhe gjithçka që ndodh më pas”, shpjegoi Alison De Meirsman, drejtoreshë kreative e DEMCO-s.
Gjatë një demonstrimi, ajo i tregoi Valletta-s një kod QR në një veshje, përmes të cilit mund të shihej origjina e pambukut, kopsave, ribatinave dhe penjve të përdorur në prodhim.
Qëndrueshmëria nis që në dizajn
Në DEMCO, qëndrueshmëria nuk lidhet vetëm me atë që ndodh në fabrikë. Ajo nis shumë më herët, që në fazën e dizajnit.
Kompania po shqyrton përdorimin e fibrave të ricikluara, si dhe alternativa më miqësore me mjedisin për elemente të tjera të veshjeve, si kopsat, fijet dhe materialet e përdorura në xhepa.
Edhe pse këto detaje shpesh nuk vihen re nga konsumatorët, ato mund të ndikojnë në jetëgjatësinë e një pale xhinseje, sasinë e burimeve të përdorura, sigurinë e kimikateve dhe lehtësinë me të cilën produkti mund të riciklohet.
“Ne kemi potencialin për ta revolucionarizuar industrinë dhe për ta ndryshuar atë në mënyrë sistematike”, tha Amber Valletta.
Kush duhet ta udhëheqë ndryshimin?
Konsumatorët mund të luajnë një rol duke kërkuar produkte më të qëndrueshme, por ekspertët theksojnë se ndryshimi më i madh duhet të udhëhiqet nga qeveritë dhe industria.
“Qeveritë duhet të vendosin rregulla të qarta për qëndrueshmërinë”, tha Claudia Giacovelli, e cila drejton programin InTex të UNEP-it.
“Markat duhet të projektojnë produktet duke pasur parasysh qëndrueshmërinë dhe ekonominë qarkulluese, ndërsa duhet të mbështesin furnizuesit gjatë kalimit drejt praktikave më pak të dëmshme për mjedisin. Prodhuesit, nga ana tjetër, duhet të vazhdojnë të investojnë në teknologji më të pastra dhe procese më inteligjente prodhimi”, shtoi ajo.
Ekspertët e industrisë thonë se e ardhmja e qëndrueshmërisë së xhinseve do të përcaktohet nga një sërë zgjedhjesh që bëhen në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit.
Ndërsa ky ndryshim vazhdon, Amber Valletta thekson se duhet të kujtojmë se çdo veshje ka një kosto mjedisore dhe se edhe një bluzë e thjeshtë nuk duhet të konsiderohet si produkt i njëpërdorimshëm.
“Ka ardhur nga Toka. Shumë duar kanë punuar për ta prodhuar dhe janë përfshirë shumë procese të ndryshme. Ajo ka udhëtuar nëpër botë vetëm për të mbërritur tek ju dhe në dollapin tuaj”, tha ajo.
/Motilokal.com
