Moti i keq godet Spanjën, një person humb jetën nga përmbytjet

Moti i keq godet Spanjën, një person humb jetën nga përmbytjet

Moti i keq që ka përfshirë bregdetin mesdhetar të Spanjës ka shkaktuar përmbytje të shumta dhe probleme të mëdha në qarkullim, ndërsa një person ka humbur jetën.

Trupi i pajetë i një burri u gjet në Olivella, rreth 40 kilometra në perëndim të Barcelonës. Sipas shërbimeve të emergjencës, ai ishte duke drejtuar automjetin kur makina u përfshi nga ujërat e rrëmbyeshme dhe u mor përpara nga rrjedha.

Zjarrfikësit e gjetën trupin rreth 500 metra larg vendit ku ishte lokalizuar automjeti. Policia e Barcelonës konfirmoi se viktima ishte drejtuesi i makinës.

Shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET kishte vendosur përkohësisht zonat bregdetare të Barcelonës nën alarm të kuq, për shkak të reshjeve intensive dhe rrezikut të lartë për përmbytje të menjëhershme.

Autoritetet u kërkuan banorëve në Katalonjë dhe Valencia që të shmangnin lëvizjet e panevojshme dhe të ndiqnin udhëzimet e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, i cilësoi situatat si “veçanërisht të ndërlikuara” dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregoheshin jashtëzakonisht të kujdesshëm.

Reshjet e dendura shkaktuan ndërprerje dhe vonesa të shumta edhe në Barcelonë. Disa stacione të metrosë u mbyllën, ndërsa linjat e autobusëve u detyruan të ndryshonin itineraret për shkak të rrugëve të përmbytura. Probleme u raportuan gjithashtu në rrjetin hekurudhor periferik.

Edhe aeroporti i Barcelonës u përball me vonesa dhe anulime fluturimesh për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Situata ishte problematike edhe në Valencia, një rajon që ende mban pasojat e përmbytjeve katastrofike të vitit 2024, ku humbën jetën më shumë se 230 persona.

/Motilokal.com