Komuna e Podujevës u ka bërë thirrje qytetarëve të shtojnë masat mbrojtëse ndaj Virusit të Nilit Perëndimor (WNV), pas paraqitjes së rasteve të reja në Rajonin e Prishtinës.
Sipas komunës, virusi përhapet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreziku mund të jetë më i madh në vendet ku ka ujëra të ndenjura dhe shumë mushkonja.
Qytetarëve u bëhet thirrje që të largojnë ujin e grumbulluar në oborre dhe rreth shtëpive. Gjithashtu, rekomandohet që rezervuarët e ujit të mbahen të mbuluar dhe të pastrohen rregullisht enët, gomat dhe vendet e tjera ku mund të mblidhet ujë.
Për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave, këshillohet përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave me mëngë të gjata dhe pantallonave, si dhe vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer.
Komuna ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse do të kontrollojnë zonat ku mund të ketë rrezik, do të largojnë vendet ku mund të shumohen mushkonjat dhe, kur të jetë e nevojshme, do të kryejnë dezinsektimin.
Qytetarët këshillohen që, nëse kanë temperaturë të shoqëruar me simptoma të rënda, si konfuzion, dobësi muskulore ose çrregullime të vetëdijes, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
“Komuna e Podujevës apelon te qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve parandaluese dhe të kontribuojnë në eliminimin e vendeve ku mund të shumohen mushkonjat”, thuhet në njoftim.
/Motilokal.com
