Një ekspeditë speleologjike në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka zbuluar dhe hartografuar shpellën më të thellë të eksploruar deri më tani në Kosovë.
Ekspedita u organizua nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Shoqatën Bullgare të Shpellave.
Gjatë ekspeditës u eksploruan dhe u hartografuan disa shpella, mes tyre Shpella e Drelajve, Shpella e Flamurit, e njohur edhe si Shpella e Stërqokës në Hajlë, me thellësi 45 metra, Shpellat Binjake në Bajshë, me thellësi 35 metra, si dhe Shpella në Rrasen e Zogut, e cila arrin në 200 metra thellësi.
Shpella në Rrasen e Zogut ndodhet në një lartësi prej rreth 1900 metrash mbi nivelin e detit dhe, sipas rezultateve të deritanishme, është shpella më e thellë e eksploruar në Kosovë.
Deri tani janë eksploruar dhe hartografuar 200 metra të saj, ndërsa studiuesit dyshojnë se shpella mund të arrijë deri në 500 metra thellësi.
Hulumtimet speleologjike në këtë shpellë pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, me synim zbulimin e mëtejshëm të strukturës dhe thellësisë së saj.
/Motilokal.com
