Tre peshq të mëdhenj të llojit ballgjër janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit, ka njoftuar Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”.
Sipas shoqatës, informacioni për peshqit e ngordhur është pranuar më 19 shtator. Pas njoftimit, një ekip ka dalë në terren për të verifikuar situatën.
Gjatë inspektimit janë identifikuar tre peshq me përmasa dhe peshë të konsiderueshme. Dy prej tyre vlerësohet se peshojnë rreth 40 kilogramë, ndërsa i treti më shumë se 50 kilogramë.

Puna në terren është ndërprerë përkohësisht për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, ndërsa shoqata ka bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë për të përcaktuar shkaqet e ngordhjes.
Shoqata “Krapi” ka ngritur gjithashtu shqetësime për lëvizjen e këtyre peshqve në ujëra të cekëta. Sipas saj, ballgjëri zakonisht qëndron në zona më të thella të liqenit.

“Vetëm tri ditë më parë, njëri prej këtyre peshqve është incizuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë me thellësi prej vetëm rreth një metri”, thuhet në njoftim.
Sipas shoqatës, kjo situatë është monitoruar me kujdes, pasi prania e peshqve të mëdhenj në ujëra të cekëta mund të lidhet me probleme të ndryshme, por deri tani nuk ka një përfundim të konfirmuar për shkakun e ngordhjes.

Shkaqet e ngordhjes së tre peshqve ende nuk janë përcaktuar. Shoqata “Krapi” ka paralajmëruar se do të japë më shumë informacione pas përfundimit të verifikimeve në terren.
/Motilokal.com
