AUV rrit masat e kontrollit ndaj “Apetit” pas rastit me mishin nga Brazili

AUV rrit masat e kontrollit ndaj “Apetit” pas rastit me mishin nga Brazili

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore të Malit të Zi, lidhur me një dërgesë mishi me origjinë nga Brazili, e cila dyshohet se kishte destinacion tregun e Kosovës.

Sipas AUV-së, si tregtues i dërgesës është identifikuar operatori ekonomik “Apetit”, ndërsa çështja në Mal të Zi, bazuar në komunikimet zyrtare, është duke u trajtuar nga Dogana e këtij shteti.

“AUV është ende në pritje të informacioneve të plota zyrtare lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Kontrollet kanë nisur më 18 shtator

AUV ka bërë të ditur se më 18 shtator ka iniciuar kontroll të detajuar ndaj biznesit, i cili, sipas njoftimit, po mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme që nga fillimi i inspektimeve.

Kontrollet përfshijnë verifikimin e dokumentacionit të importit dhe origjinës, afateve të përdorimit, sasive të importuara dhe të shpërndara, si dhe destinacioneve të produkteve të vendosura në treg.

Ekipi inspektues është udhëzuar të përfshijë të gjitha informacionet relevante për të siguruar gjurmueshmëri të plotë të dërgesave. Gjithashtu, janë marrë mostra për analizat përkatëse.

Masa shtesë në pikat kufitare dhe në treg

Sipas AUV-së, janë vendosur masa shtesë kontrolli në dy linjat e kontrollit kufitar, ku po verifikohet çdo ngarkesë. Ndërkohë, inspektorati i brendshëm po kryen kontrolle mbi sasitë e produkteve që ndodhen në depo ose janë vendosur në treg.

Agjencia ka deklaruar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet përkatëse në kuadër të MIK-ut, me qëllim të verifikimit të plotë të produkteve para hyrjes së tyre në tregun e Kosovës.

AUV paralajmëron masa në rast të rrezikut për shëndetin publik

AUV ka theksuar se, në varësi të gjetjeve të kontrolleve dhe vlerësimit të nivelit të rrezikut, do të ndërmarrë masa ekzekutive në përputhje me procedurat ligjore.

Në rast se konfirmohet se ndonjë produkt paraqet rrezik për shëndetin publik ose nuk i plotëson kriteret ligjore të sigurisë ushqimore, Agjencia do të ndërmarrë masat përkatëse, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.

“Secili produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi i AUV-së.

AUV ka bërë të ditur se konsumatorët do të informohen për gjetjet e evidentuara gjatë kontrolleve dhe masat e ndërmarra, ndërsa në rast të identifikimit të një produkti konkret që paraqet rrezik, do të publikohen informacionet dhe udhëzimet përkatëse.

/Motilokal.com